Miq e dashamirës,
Fondacioni Albana propozon platformën me 15 pika, të gjitha të mundshme, por që kerkojnë një angazhim mbarëkombëtar për tu përmbushur. Ne besojmë tek një projekt i tillë, por kemi edhe nevojë për mbështetjen tuaj e për mendimet tuaja. Nqs angazhohemi bashkarisht, secili sipas mundësive, jemi te bindur që mesazhi e platforma jonë e përbashkët për Bashkimin Kombëtar, do të përhapet e përqafohet nga shumica e shqiptarëve.
15 propozimet :
1- shtetësia shqiptare për çdo shqiptar etnik, në bazë të jus sanguinis /e drejta e gjakut
2- kontrolli i rreptë ndaj financimeve të huaja, që nxisin mes shqiptarëve përçarjen fetare e krahinore dhe konfiskimi i pasurisë e ndëshkimi penal i përgjegjësve
3- njësimi i sistemit arsimor me Kosovën e trojet e tjera shqiptare, përfshirë njësimin e Akademive, si dhe rishikimi i rolit të historisë dhe gjuhës shqipe si lëndë kyçe identitare
4- ngjashëm me Parlamentin Europian të krijohet një Senat Mbarëkombëtar me seli në Prizren, ku të perfaqësohen gjithë shqiptarët
5- ngjashëm me Komisionin Europian të krijohet një Këshill Mbarëkombëtar me seli në Krujë ose në Vlorë, me vullnet e përfaqësi të gjithë shqiptarëve
6- Në lidhje me shqiptarët e Iliridës/Maqedonisë
a) të shquhen me dokumente historike e ligjore dhe të kthehen pronat e shtëpitë e gjithë shqiptarëve etnikë që janë spastruar etnikisht prej serbëve e jugosllavëve gjatë shekullit 20, më së shumti drejt Turqisë e Shqipërisë
b) të njihen si shqiptarë me të drejta të plota kombëtare gjithë shqiptarët e krishterë (kujtojmë Nene Terezën), të cilët sot njihen si sllavë të Maqedonisë
c) të caktohen kufijtë etnikë mes shqiptarëve dhe sllavëve në Maqedoni duke u mbështetur tek dokumentacioni shkencor historik, vendbanimet, llogaritja e shqiptarëve në emigracion, shqiptarëve të krishterë dhe shqiptarëve të spastruar etnikisht gjatë shekullit 20
d) në bazë të Kartës së OKB-së për të drejtat e njeriut dhe popujve, shqiptarëve të sipërcituar tu njihet e drejta e sovranitetit dhe e drejta për bashkim kombëtar
7- Në lidhje me çështjen çame dhe të shqiptarëve në Greqi
a) vendosja e çështjes çame në rendin e ditës në bisedimet për kufirin detar me Greqinë
b) kthimi i pronave e shtëpive për çamët e gjithë shqiptarët e spastruar etnikisht prej Greqisë
c) njohja e të drejtave kombëtare të shqiptarëve të krishterë që kanë ngelur në Çamëri e zonën Kostur-Follorinë
d) ndërgjegjësimi kombëtar i arvanitëve dhe përpjekja për një status të tyre ne Greqi si etni shtet-formuese
8- në lidhje me Kosovën Lindore, përfshirë Toplicë e Jablanicë:
a) 3 komunat të bashkohen sa më parë me Kosovën
b) të njihen si në rastet e tjera të spastrimit etnik e drejta e pronës, e drejta e rikthimit në trojet stërgjyshore, duke filuar me të njohurit në Kosovë si muhaxhirë
9- në lidhje me shqiptarët e Malit të Zi, Pazarit të Ri e Sanxhakut
a) të ndalet bosnjakëzimi i tyre i vazhdueshëm nëpërmjet njohjes prej Serbisë e Malit të Zi, e të drejtave të tyre kombëtare si shqiptarë, veçanërisht hapja e menjëhershme e shkollave shqip
b) tu njihen si në rastet e tjera të spastrimit etnik, e drejta e pronës dhe e drejta e rikthimit në trojet stërgjyshore, duke filluar me të njohurit në Shqipëri si podgoriçanë.
10- në lidhje me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ngjashëm me ndërtimin e BE-së;
a) heqja e çdo tarife doganore ndaj Kosovës në funksion të njësimit të plotë doganor, si dhe heqja çdo pengesë ligjore e burokratike për qarkullimin e lirë të shqiptarëve
b) krijimi i një tregu të përbashkët me rregulla të njëjta për të gjithë
c) krijimi i një Banke Qendrore Mbarëkombëtare si dhe adoptimi i monedhës së përbashkët, LEK, nga shteti i Kosovës, në funksion të sovranitetit financiar të përbashkët
ç) ndjekja e politikave ekonomike e fiskale të përbashkëta të bazuara tek avantazhi i krahasuar
d) krijimi i një borxhi publik të përbashkët duke respektuar barrat fillestare
11- në funksion të njohjes ndërkombëtare të së drejtës së Bashkimit, si e drejtë e shenjtë historike dhe bashkëkohore, Kosova ta ndryshojë me referendum emrin në Dardani ose Shqipëria e Veriut
12- ngjashëm me NATO-n, si dhe me statutin e NATO-s , Shqipëria dhe Kosova të formojnë një aleancë ushtarake mbrojtëse
13- ngjashëm me FRONTEX-in e Bashkimit Europian, të krijohet një repart special i përbashkët për kontrollin e kufijve të Shqipërisë dhe Kosoves
14- Kosova të heqë nga kushtetuta nenin e pakos së Ahtisarit, që ndalon bashkimin dhe të mbahen referendume për bashkim në të dy shtetet
15- Pas Bashkimit, natyrën e shtetit dhe Kushtetutën, bazuar tek parimet e shtet-kombit, demokracisë e kapitalizmit, ta vendosin shqiptarët me referendum.