Shpallet ''Peticioni për Bashkimin Kombëtar''


Miq e dashamirës, më datën 4 korrik 2021, në takimin e mbajtur në mjediset e Fondacionit Albana, me të ftuar nga Kosova dhe Maqedonia, u miratua teksti dhe u shpall peticioni për bashkimin kombëtar.

Pas votës tuaj plebishitare të prillit, në favor të peticionit gjithëshqiptar për mbajtjen e referendumit për bashkimin kombëtar, u bë i qartë detyrimi organizativ për Fondacionin Albana, por edhe Lëvizjen Aleanca Kombëtare.

Gjatë kësaj periudhe të mbushur me takime kemi gjetur mbështetje nga shumë organizata dhe aktivistë patriotë, në gjithë hapësirën shqiptare të gadishullit ilirik dhe në diasporë. Entuziazmin e pamë të pranishëm kudo, po aq sa edhe pjekurinë e mendimit të faktorit patriotik.

Tashmë, përpara nesh është përpjekja për të vërtetuar pjekurinë e veprimit patriotik. Për mendimin tonë peticioni për bashkimin kombëtar është hapi i parë, mirëfilli demokratik, që faktori patriotik në Shqipëri, trojet e tjera etnike dhe diasporë, duhet ta mbështesë pa mëdyshje, deri në suksesin e plotë, me qëllim që të bëhen të mundur hapat e tjerë.

Të gjithë shqiptarëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e trojet e tjera etnike apo diasporë, të cilët duan ta nënshkruajnë do t'u jepet mundësia, qoftë nëpërmjet organizimit në terren, qoftë nëpërmjet nënshkrimit të moduleve të shkarkueshëm në faqen tonë ( nënshkrimet mund të dërgohen me postë ose dorazi).

Kërkesa e miratuar për peticionin është si vijon:

- Ne, nënshkruesit shqiptarë, kërkojmë nga institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në respekt të preambulës dhe frymës së Kushtetutës së Shqipërisë, që të ndërmarrin të gjitha hapat, që mundësojnë përmbushjen e aspiratës së shqiptarëve për bashkim kombëtar, duke nisur nga mbajtja e një referendumi për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës në një shtet.

Miq e dashamirës, po afron dita që me një firmë të thjeshtë, miliona shqiptarë të shprehin faqe botës vullnetin e palëkundur të kombit shqiptar, për të jetuar bashkarisht në një shtet kombëtar.

Fryma e të parëve dhe Zoti i shqiptarëve qofshin me gjithë shqiptarët anembanë!

P.s gjatë ditëve në vijim do të jepen gjithë informacionet e nevojshme. Për pyetjet, vërejtjet e propozimet tuaja mos nguroni të na shkruani nëpër komente e mesazhe.

PETICION PËR BASHKIMIN KOMBËTAR

Shpreh mendimin tënd