SHINASI RAMA.
Në shtetin shqiptar, prania përcaktuese e parisë, si dhe roli i saj parësor në proceset politike, si edhe del nga shkrimet e përmbledhura këtu, janë fakte shoqërore të pamohueshme. Mirëpo, siç edhe është vënë në dukje në këtë përmbledhje, roli i saj parësor e përcaktues në vendimarrjen politike është gjithnjë i pasigurtë. Roli qëndror i parisë është i kërcënuar nga prania dhe roli që luajnë katër faktorë të rëndësishëm. Këto faktorë, në dukje jo aq të ndërlidhur, janë gjithnjë të pranishëm e të pamënjanueshëm në sistemin politik shqiptar. Në disa drejtime, këta faktorë e mundësojnë sundimin e parisë dhe, në se janë të pranishëm, në masën e duhur, janë të pranueshëm për parinë. Por, në disa drejtime të tjera, forcimi i rolit të tyre e ka ndërlikuar gjendjen edhe për vetë parinë. Mund të thuhet se pamundësia e eleminimit të këtyre faktorëve e kërcënon, në mënyrë të përhershme, por edhe të pazgjidhshme, sundimin e parisë dhe oligarkinë e saj. Megjithatë, në gjendjen e tanishme, mendësia katundare e kriminalizuar e shoqërisë, sistemi formal demokratik, ideologjia shtetformuese kombëtare, si dhe roli qëndror i shtetit janë pengesa të fuqishme dhe të pazgjidhshme në zbatimin e planeve të parisë së Tiranës.
Rrethi vicioz i mendësisë katundare dhe të kriminalizuar të shoqërisë
Së pari, si edhe e kam shpjeguar këtu, mendësia katundare dhe e kriminalizuar e shoqërisë, deri në një farë mase, është e dëshërueshme për parinë. Ngushtësia e mendësisë dhe përqëndrimi tek prona e vogël, si dhe frika e pandërprerë e njeriut me sjellje jo të ndershme, e lehtëson shumë sundimin e saj. Shoqëria fragmetarizohet e kontrollohet nga paria, që kështu zëvendëson shtetin e të drejtës. Duke u vënë në qendër të shoqërisë, paria formëson vlerat, mendësinë dhe e drejton procesin andej nga i intereson asaj. Pra, nga një anë, parisë i intereson që njerëzit të mos mendojnë më larg se sa pragu i shtëpisë së tyre, (koncepti mbisundues është,”larg vatrës sime”) apo më larg se sa kufiri i krimit që mund të kenë kryer. Kjo, d.m.th. që njerëzit të mos kenë mendësinë e një qytetari të interesuar për jetën publike e shoqërore në një shtet e shoqëri të caktuar. Në këtë mënyrë, mendësia e tyre e cunguar dhe ngushtësia e fushëpamjes së tyre, bën që ata të kenë një ide të shtrembëruar për realitetin ku jetojnë. Këta individë jetojnë me frikë nga paria dhe shteti i instrumentalizuar. Ata dhunohen nga paria, që të mendojnë vetëm e vetëm për veten e vet. Duke mos parë zgjidhje tjetër, e pranojnë gjendjen si të pandryshueshme. Prandaj, njerëzit që mendojnë kështu, sundohen më lehtë.
Nga ana tjetër, paritë gjithkund tolerojnë apo lejojnë, si një formë valvole çliruese shoqërore, praninë e sjelljeve kriminale që, formalisht, nuk janë të pranueshme nga morali shoqëror, por që nuk e rrezikojnë sundimin e parisë. Prostitucioni, droga, vrasjet, sherret, qe mandej kthehen në “gjak” midis fisesh, bandat që iu vënë gjoba dyqaneve, të fortët e lagjes e me radhë, janë elementë të nevojshëm të sundimit të saj. Paria i njeh rrjetet e krimit, por, si paria, si institucionet e caktuara, i lënë të veprojnë, deri në një kufi të caktuar.
Por, kur shteti dobësohet ndjeshëm dhe strukturat e nëndheshme kriminale fuqizohen dhe arrijnë të veprojnë në mënyrë autonome prej parisë, atëherë sistemi i sundimit të parisë është i rrezikuar seriozisht. Veçanërisht, në ato raste, kur strukturat e krimit fuqizohen aq sa që synojnë dhe arrijnë që të përcaktojnë sjelljen dhe moralin në shoqëri, atëherë ato bëhen një problem i pazgjidhshëm për parinë. Arsyeja është se atje ku sjellja kriminale është përcaktuese, nuk mund të vendoset një shtet i mirëfilltë ligjor. Por, edhe vendosja e një shteti të instrumentalizuar, përmes të cilit paria ka monopolin e besueshëm mbi mjetet e dhunës e ligjin, është e pamundur në një shoqëri ku mbizotërojnë strukturat mafioze klanore e katundare. Në këto raste, monopolin e dhunës dhe të forcës e kanë strukturat e organizuara të nëndheshme kriminale. Këto janë të organizuara në nivele të ndryshme, që nga niveli familjar deri në nivel lokal. Ka struktura të organizuara në bazë të fshatit, si të Lazaratit, por edhe struktura të parisë që veprojnë në nivel shtetëror, si ato të kontrabandistëve, të klaneve politike si të Trustit të Gështenjave të Tropojës, apo të trafikantëve në nivel të qytetit si Vlora, që paralizojnë shtetin.
Pavarësisht nga parimi në bazë të të cilit formësohen, këto struktura do të luftojnë që të kenë përfaqësuesit e tyre në politikë. Kështu ka ndodhur, në të gjithë rastet, kur kartelet e trustet me mendësi kriminale e katundare nuhasin një shtet të dobët. Në rastin shqiptar, strukturat kriminale i kanë përfaqësuesit e tyre në politikën e Tiranës. Lidhja e tyre me parinë është jetike dhe e pazgjidhshme. Tashmë, strukturat kriminale janë bërë njësh me parinë politike dhe ndërvarësia midis tyre është e dukshme dhe e njohur në shoqëri.
Në këto raste, jo vetëm që strukturat kriminale dhe klanore e paralizojnë dhe e thyejnë shtetin, por ato e mbajnë parinë politike peng të tyre dhe e bëjnë atë pjesë të tyre, njëlloj si ato vetë bëhen pjesë simbiotike e saj. Autonomia në veprimtari dhe në strukturë, si dhe lidhja e gjakut garanton që strukturat e nëndheshme janë pakica me të vërtetë e organizuar dhe e lidhur për jetë a vdekje. Korrupsioni, mitmarrja, kërcënimi, vrasja, futja në politikë e pjestarëve, marrja e tenderave, shmangja e policisë e me radhë bëhen objektivat që i shtyjnë strukturat kriminale që të influencojnë në jetën politike.
Kur lidhja kriminale çimentohet edhe me lidhjen e gjakut, siç ndodh shpesh në shtetin shqiptar, atëherë struktura mafioze duket se është e papërballueshme. Familja e zgjeruar është bërthama me të vërtetë e organizuar dhe e lidhur për jeta a vdekje. Kjo nuk është më një strukturë kriminale e organizuar thjesht për përfitim. Prandaj, edhe viktima e parë është morali i duhur shoqëror. Shpesh, një dukuri e vërtetuar në raste e në vende të tjera, me afirmimin e strukturës mafioze e dukjen e pafuqisë së shtetit, thuajse brenda ditës, besnikëria e njerëzve kalon nga shteti inefektiv tek struktura mafioze. Problemi me besnikërinë e njerëzve është se, nuk ka rëndësi se çfarë mendojnë njerëzit në mendjen e tyre, rëndësi ka se si sillen. Por, prania e gjithkundgjindshme e strukturave mafioze përcakton edhe mënyrën se si mendojnë, si sillen dhe si veprojnë shqiptarët. Prandaj, ndonëse në mënyrë të natyrshme në shtetin shqiptar shumica dërmuese e shtetasve janë të etshëm për një jetë normale e të moralshme në sipërfaqe, duket sikur gjithkush mendon, sillet, e paragjykon si paria dhe tentakulat e saj të krimit të organizuar.
Një pari me mendësi shtetare dhe një sistem mafioz i konsoliduar, nuk mund të bashkëjetojnë me njëri-tjetrin. Njëra mendësi përjashton tjetrën. Por, në prani të strukturave kriminale, të mbrojtura e të kultivuara nga paria, problemi malcohet deri në atë pikë sa, me sunduar, parisë i duhet që ose të kooptojë strukturat mafioze-klanore, ose që vetë të sillet si strukturat mafioze-klanore. Në të dy drejtimet që mund të ndiqen, e ka vetëm dy drejtime, mendësia kriminale del si përcaktuese e sjelljes së saj. Shteti, që do të jetë gjithnjë i dobët dhe inefektiv, do të përdoret sipas diktatit të mendësisë kriminale të klaneve mafioze të parisë.
Paria e Tiranës nuk i ikën dot këtij rrethi vicioz. Çka është edhe më keq, ajo është e lidhur ngushtë me strukturën kriminale dhe në shërbim të tyre. Prandaj, strukturat kriminale mafioze janë të gjithkundgjindshme në shtetin shqiptar. Strukturat kriminale dhe mendësia që buron e i mban gjallë ato struktura, janë djepi ku po rigjenerohet edhe vetë paria sunduese. Sjellja kriminale është mënyra se si fitohet e mbrohet pasuria e saj dhe prej përfitimit buron edhe justifikimi i sjelljes kriminale, që është në thelb të mendësisë së saj. Morali i botës së krimit është morali sundues, i natyrshëm për parinë dhe tashmë i imponuar edhe mbi shoqërinë shqiptare. Ky moral kriminal është në thelb të mendësisë së parisë, por edhe të brezit të ri të saj që po hyn në politikë. Në këtë pikë, paria sunduese nuk ka asnjë mjet, mënyrë, metodë, apo vullnet politik për t’u shkëputur nga mendësia kriminale dhe klanore.
Sistemi demokratik: problemi i zgjidhjeve të përkohëshme
Problemi i dytë i pazgjidhshëm i parisë është sistemi demokratik, që në shtetin shqiptar, nuk është tërësisht e formalisht nën kontrollin e vetë parisë. Paria e Tiranës, si të gjithë paritë, ka një lidhje tejet të komplikuar me demokracinë e me sistemin demokratik. Ka shumë përpjekje teorike, që janë munduar të pajtojnë qënien e parisë si shtresë që luan një rol shumë më të madhe se sa vota që hedh në një sistem demokratik. Po ashtu, ka disa interpretime që e shohin rolin e saj si një faktor vendimtar në një sistem demokratik funksional. Por, të gjitha këto përpjekje janë synojnë të legjitimojnë një formë të oligarkisë plutokratike në demokraci. Në një sistem demokratik bashkëkohor, ku formalisht ndiqet parimi “një qytetar, një vote”, politika është shumë më komplekse. Paritë janë shumë të fragmentarizuara, mundësia e daljes së parive të tjera alternative është gjithnjë e pranishme, ideologjitë luajnë një rol gjithnjë të ndjeshëm dhe manipulimet e procesit politik janë të evidentueshme. Për më tepër, problemet e shumta mund të zgjidhen vetëm në mënyrë të përkohëshme. Shoqëria nuk kontrollohet më kaq lehtë nga paria, si në forma të ndryshme të autoritarizmit. Për shkak se nuk ka siguri se mund të kontrollohet mendja e të gjithë njerëzve, demokracia kthehet në një problem thuajse të pazgjidhshëm për parinë sunduese.
Pse e them këtë? Në një anë tjetër, paria do të kërkojë e do të luftojë që të imponojë strukturën e sistemeve politike, ekonomike, kulturore e shoqërore, që i shërbejnë më mirë asaj. Kështu, paria do të punojë për interesat e veta dhe shpesh, paria arrin që të minojë sistemin demokratik me një efektivitet maksimal. Mirëpo, paria kurrë nuk mund të ketë kontroll ligjor e të përplotë mbi proceset formale demokratike. Si pasojë, pavarësisht se paria mund ta kontrollojë sistemin dhe njerëzit, ajo duhet të përballet me rrezikun e përhershëm të humbjes së legjitimitetit.
Gjatë këtyre dhjetravjeçarëve të fundit, demokracia, si formë regjimi, ka evoluar shumë. Edhe pse një formë shumë e brishtë qeverisjeje dhe lehtësisht e manipulueshme, në vendet ku ajo merret seriozisht si demokraci kombëtare, në Izrael, Slloveni apo në Gjermani, demokracia, si formë e përzgjedhjes së udhëheqjes shtetërore e kombëtare, është një pengesë serioze në planet e gjithkujt. Rregullat e normat e sjelljes politike në një sistem demokratik janë pak a shumë të pranuara gjerësisht. Nga një anë, edhe kur ka interpretime të ndryshme, presioni i jashtëm është gjithnjë i pranishëm. Nga ana tjetër, parisë periodikisht, rregullisht, e masivisht, i duhet miratimi dhe vota e popullit.
Por, që të dy këto aspekte, formalisht e ligjërisht, janë jashtë kontrollit të plotë të parisë. Çdo përpjekje për të manipuluar këto aspekte mund të jetë e suksesshme. Por, në thelb, çdo përpjekje e tillë është përherë e jashtëligjshme dhe vetë suksesi i manipulimit të radhës nga ana e parisë është i përkohshëm. Prandaj edhe paritë që mëtojnë ta minojnë demokracinë në vendin e tyre veprojnë me shumë kujdes, si skile, prapa skenës. Në rastin shqiptar, paria e minon sistemin demokratik në nivelin politik, pa asnjë mëdyshje, hapur dhe me metoda kriminale. Mirëpo, me kohë, kjo do të çojë në diskreditimin e plotë të demokracisë dhe në vendosjen e sundimit të hapur oligarkik.
Atëherë, kundërvënia ndaj parisë do të jetë shumë më e qartësuar dhe strukturat që do të dalin do të jenë të mbështetura në ideologji, që i shohin njerëzit si të barabartë. Këto ideologji ndihmojnë që të mobilizojnë njerëzit, edhe në emër të vlerave demokratike, për të marrë kontrollin mbi shtetin nga paria sunduese. Lufta e parisë është e përqendruar kundër këtyre ideologjive dhe në kultivimin e një mendësie që e mban shoqërinë peng, çka arrihet qoftë përmes kultivimit të sjelljeve e të vlerave në funksion të interesave të ndërlidhura, qoftë edhe përmes strukturave kulturore tradicionale.
Prandaj, në analizimin e një shoqërie demokratike ,siç janë përcaktuar që të jenë shqiptarët, çdo përpjekje për të kuptuar proceset politike dhe rolin e parisë në këto procese, nuk duhet që të zbërthejë e të përqëndrohet vetëm në raportet politiko-ekonomike të parisë me popullin. Një vëmendje e madhe i duhet kushtuar edhe nivelit të kontrollit të saj ideologjik mbi shoqërinë, që me delegjitimimin e sistemit demokratik bëhet përherë e më i brishtë dhe më i vështirë për t’u ruajtur.
Ideologjia shtetformuese dhe kombëtariste
Së treti, lidhja e parisë me mendësinë që vë shtetin përpara interesave të shtresës është komplekse. Paria nuk mundet që të pranojë një mendësi e cila i shtyn njerëzit që të identifikohen me shtetin dhe me bashkësinë ligjore-politike, të cilën shteti ose e krijon, ose e mbron, ose e promovon. Ideologjia sunduese e kohës në Ballkan është nacionalizmi, d.m.th. një parim organizmi politik, që thotë se secili komb duhet të jetojë në shtetin e vet. Kjo është një mendësi që edhe po nuk u erdhi natyrshëm shqiptarëve, do të vijë si rezultat logjik i kundërvënies ndaj projekteve nacionaliste të shtet-kombeve fqinjë dhe i dështimit të parive të tyre. Shqiptarët mund të mos jenë nacionalistë, por do të bëhen të tillë ose do të asimilohen në kombet e tjera.
Paria ka punuar me konseguencë që të shqiptarët të mos bëhen nacionalistë. Problemi i saj është se paria kërkon që të ruajë kontrollin e saj të hekurt edhe mbi shtetin edhe mbi shoqërinë, siç e kishte gjatë sistemit të kaluar. Mirëpo, nuk ka shtet pa një komb të caktuar. Vetë paria është përballur me këtë problem disa herë në të shkuarën. Shqiptarët morën një shtet që nuk kishte komb të formuar dhe që, për më tepër, kishte një shumicë shqiptare që jetonte jashtë kufinjve të shtetit. Mirëpo, një nga postulatet e sprovuara të shtetformimit është se çdo shtet duhet të ketë a të krijojë kombin e vet. Kjo është karakteristika e shteteve, edhe moderne. Aty ku gjenden etni dhe kombe të formuara, paritë adaptohen. Romakët bëhen bizantinë. Aty ku nuk gjenden, kombet formohen prej shteteve. Ideja e Bizantit bëhet identiteti shtetëror grek. Kombet synojnë të kenë shtetet e tyre dhe shtetet punojnë që të krijojnë kombet e tyre. Paritë nuk kanë shumë zgjidhje. Edhe paria enveriste u detyrua që të përdorte një formë të përçudnuar të patrotizmit shtetëror të veshur me ngjyra proletare e me tone kombëtariste. Ndarja e shqiptarëve, me një mur informativ, e mundësoi përpjekjen e parisë që, gjithsesi, u sprovua të ishte jo e suksesshme.
Problemi është se kombësia, do të marrë, pashmangshmërisht, thelbin e vet etniko-qytetar apo qytetar, që vendoset si mbishtresë mbi identitetin etnik. Shqiptarët nuk bëjnë përjashtim nga ky rregull. Prandaj, sado që të përpiqet paria që t’i shmanget idesë shtet-formuese kombëtare e të krijojë një identitet të ri, shqiptarët si popull nuk kanë shumë zgjidhje. Po të ishte paria e suksesshme, ajo mund t’i bënte të gjithë shqiptarët në shtetin shqiptar një komb të veçantë. Por, me që dështimet kanë qenë të njëpasnjëshme, ajo do të përfundojë duke i bërë shqiptarët që të kërkojnë zgjidhje të tjera.
Për shkak të rrethanave ku gjenden, shqiptarët duhet që të punojnë që të kenë shtet-kombin e tyre, ose duhet që t’i bashkëngjiten një kombi tjetër e të asimilohen. Rruga e asimilimit është thuajse e mbyllur. Dështimi i projekteve asimiluese në vendet e tjera fqinje, ku edhe përkundër përpjekjeve të shqiptarëve për t’u bërë grekë e italianë, barrierat shoqërore e shtetërore janë të pakapërcyeshme, ia ka ngushtuar shumë zgjidhjet parisë. Edhe pse duket se paria ia ka arritur ta shmangë nacionalizmin shqiptar dhe ta bëjë të padëmshëm, shteti shqiptar është një shtet i ri dhe kombformimi është një proces që kërkon një kohë të gjatë. Popujt e kanë të gjithë kohën në dispozicion, por paritë e kanë kohën e sundimit të numëruar.
Roli qëndror i shtetit në shoqëri
Së katërti, politika, në një shtet me sistem të stabilizuar demokratik, ka edhe një dimension tjetër, që është parësor, edhe për forma të tjera të regjimit si oligarkia, teokracia apo edhe monarkia. Ky dimension është ruajtja dhe kultivimi i ekuilibreve stabilizuese në marrëdhëniet shoqërore. Ky objektiv arrihet kryesisht përmes vendosjes së një administrate shtetërore me autonomi të theksuar nga shoqëria. Shteti, dhe lidhja e të gjithë shtresave me shtetin, bëhet emëruesi i përbashkët i një shoqërie. Shteti është i interesuar për ruajtjen e kultivimin e ekuilibreve shoqërore, sepse shteti e sheh shoqërinë përmes prizmit të interesave të veta. Natyrisht shteti janë njerëzit, janë qytetarët, por mbi të gjitha, ata që punojnë për shtetin, d.m.th., shtetarët. Pavarësisht nëse këta vijnë nga paria, apo janë të rritur në strukturat e shtetit, shtetarët vendosin interesin e shtetit mbi të shtresës nga vijnë, ata identifikohen me shtetin dhe punojnë për shtetin.
Institucionet funksionale autonome shtetërore, me të cilat një pjesë e parisë sunduese është e lidhur në mënyrë simbiotike, me kohë bëhen relativisht të shkëputur nga shoqëria. Arsyeja për këtë autonomi të politikës e të shtetit që e promovon këtë lloj sjelljeje, është e dyfishtë. Nga një anë është sistemi ndërkombëtar dhe natyra e përkatësisë në sistemin ndërkombëtar, ku vetëm shtetet njihen si njësi të sistemit. Nga ana tjetër, formalisht e ligjërisht, politika në një sistem demokratik është procesi i marrjes së vendimeve prej një bashkësie politiko-ligjore. Kjo bashkësi ligjore-politike duhet që, të paktën formalisht, në mënyrë të fshehtë dhe periodikisht, të pajtohet me programet që ofrohen e me vendimet që merren nga të zgjedhurit politikë e nga shtetarët e emëruar. Por përzgjedhja e drejtuesve të shtetit nuk presupozon ndrrimin en toto të administratës dhe imponimin e kontrollit të parisë mbi shtetin përmes mobilizimit të shoqërisë.
Si struktura më efektive e organizimit shoqëror, shteti ka interesin e vet, që nuk është as interesi i parisë, as ai i klaneve mafioze, as interesi i strukturave të nëndheshme. Shteti duhet të kujdeset për popullin dhe shtetasit edhe në nivelin e mirëqënies shoqërore. Po ashtu, për shkak se ka një numër strukturash politike që formalisht nuk pajtohen me të e me sjelljen e saj, si bie fjala, paria apo elita e shtresave që janë në fund të piramidës shoqërore, apo edhe segmente ideologjikisht të motivuara brenda vetë asaj, paria duhet që të bëjë të pamundurën për të ruajtur sundimin e saj. Paria mund të jetë e suksesshme gjithë kohën, por mjafton vetëm një dështim për ta kthyer gjendjen nga e brishtë apo e paqëndrueshme, në gjendje kritike.
Shteti janë njerëzit, por shtetarët kanë mendësi, vlera, dhe përparësi që janë të dallueshme nga ato të pjestarëve të tjerë të parisë e shpesh, që iu kundërvihen atyre. Ideologjia dhe mendësia e këtyre shtetarëve përcaktohet nga ky interes shtetëror. Identifikimi me shtetin, vendosja e shtetit në qendër të vendimmarrjes, bëhet një element i rëndësishëm, që informon edhe sjelljen e këtyre pjestarëve të parisë. Mbi të gjitha, struktura institucionale kushtëzon e formëson sjelljen e individëve, që tashmë funksionojnë si pjesë e strukturës dhe duke ndjekur normat e sjelljes shoqërore të kultivuara nga struktura.
Një element tjetër me peshë është ideologjia. Në thelb të marrëdhënies së pjestarëve të parisë me njëri-tjetrin qëndrojnë interesat e ngushta. Mirëpo, këto interesa vishen me një sistem vlerash, që është shumë i qëndrueshëm dhe që e ngushton shumë hapësirën e veprimit të parisë. Për hir të nevojës së ruajtjes së legjitimitetit si dhe të bashkësisë, paria nuk mund të shkelë normat e vendosura të sjelljes. Çdo sistem politik është, ose i kontrolluar nga paria ose ka një pari që është në shërbim të një ideologjie të caktuar. Për shkak të shtërngesave ideologjike apo politike, në mjaft raste, paria sunduese nuk mundet që ta minojë hapur sistemin.
Por edhe një përafrim i tillë lë shumë elemente pa shpjeguar, sidomos në lidhjen e shtetit me popullin. Ka skllevër individualë, por nuk mund të ketë kombe skllevërish të vullnetshëm. Por, edhe skllevërit rebelohen kur nuk e kanë bukën e gojës. Shteti duhet të sigurojë të paktën minimumin e jetës dhe, në vende normale, shteti e bën këtë duke shkuar edhe kundër interesave të parisë. Çështja kryesore, pra, është se thelbi i veprimit politik është shpërndarja e të mirave, në çdo formë që ato manifestohen, materiale apo shpirtërore, përmes përdorimit të autoritetit shtetëror. Të mirat vijnë në formën e sigurive të ndryshme: të sigurisë së jetës së njeriut, të sigurisë së një jetë më të mirë, të sigurisë së nderit e të respektit të dinjitetit njerëzor. Këto arrihen përmes vendosjes së rendit të përshtatshëm shoqëror, që për një bashkësi të caktuar mundëson mbrojtjen e të mirave të tilla. Ajo që ka edhe më shumë rëndësi është edhe se kush i përfiton këto të mira dhe si përfitohen ato. Qui Bono? Për të perifrazuar titullin e një libri, politika bëhet për të përcaktuar se kush përfiton, kur e përfiton, çka përfiton dhe si e përfiton atë të mirë. Shembuj shumë të mirë për shqiptarët do të ishin Izraeli dhe Sllovenia, dy shtete ku punohet për popullin.
Herët a vonë, e mira e bashkësisë bëhet edhe objektivi i shtetit normal e modern. Paria duhet të futet në atë hulli, ku suksesi i saj nuk e minon funksionimin e shtetit dhe përpjekjen e shtetit për të të siguruar besnikërinë e kombit, etnik apo qytetar, nuk ka rëndësi, po gjinjë ndaj shtetit të vet. Pra, paria është e domosdoshme, sepse pa njerëz të aftë në pozita drejtuese e të veshur me autoritetin e nevojshëm nuk mund të funksionojë një shoqëri komplekse moderne. Paria e mirëfilltë që i duhet, dhe që i shërben shtet-kombit modern, është zyrtari intelektual, ekspert në fushën e tij dhe i kontrolluar deri në atë pikë sa nuk mund të dalë nga kornizat e kontrollit, që ushtrohet sistematikisht si nga segmentet e tjera të parisë, edhe nga shoqëria civile, e po ashtu, edhe nga populli vetë, në kornizat e një ideologjie të caktuar.
Ky rol qëndror i shtetit në të gjithë aspektet e jetës shoqërore i bie ndesh projektit të vetë parisë si shtresë. Prandaj, përpjekja për të kuptuar se çfarë ndodh në politikën e një shteti të caktuar, duhet të përqëndrohet edhe në analizimin e arsenalit ideologjik të përdorur nga paria sunduese për të fituar periodikisht, legjitimitetin e mbështetjen e popullit që sundohet prej saj. Ky dimension ideologjik ka në thelb të vet ideologjinë hegjemone apo sunduese, e cila e legjitimon strukturën e shpërndarjes të të mirave shoqërore, si dhe vetë rolin drejtues të parisë, edhe kur sjellja e saj është në kundërshtim me interesin shtetëror. Në një mënyrë a në një tjetër, po përmes këtij dimensioni ideologjik edhe shoqëria vetë arrin që të krijojë mekanizmin e mbrojtjes nga paria sunduese. Ky mekanizëm mbrojtës merr forma të ndryshme, por, gjithsesi, është i rrënjosur në ideologjinë sunduese apo hegjemone të kohës. Pra, bashkë me qartësimin e strukturës së pushtetit në një shoqëri, bëhet jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm edhe kuptimi i kontekstit shoqëror dhe i ideologjisë sunduese të kohës ku zhvillohet veprimi politik. Argumentet që individët e veçantë përdorin për të analizuar e peshuar gjendjen e tyre, vlerat përcaktuese të kohës, sjellja e njerëzve në atë kontekst shoqëror, përparësitë që ata vendosin për veten e tyre, marrëdhëniet që ata ndërtojnë me njëri-tjetrin, janë të gjitha të përcaktuara ose të influencuara nga mendësia sunduese e kohës. Pra, kush përfiton çka, kur e përfiton e si e përfiton është e përcaktuar dhe e legjitimuar, më së pari, në nivel të mendësisë së shoqërisë, të asaj çka është e drejtë, e pranueshme, normale, dhe legjitime, në bazë të parametrave të ideologjisë sunduese, të vlerave e të moralit që buron prej saj.
Kriza shqiptare dhe rruga e daljes nga tranzicioni
Në përfundim, edhe po e pati paria sunduese kontrollin mbi çdo element të sistemit, gjithnjë ekzistojnë këto katër elemente që e vënë në dyshim sundimin e parisë. Por, paria kurrë nuk ka patur e kurrë nuk mund të ketë gjë të sigurtë në shtetin shqiptar. Për më tepër, problemi i pazgjidhshëm i parisë është se politika, në një sistem që formalisht e ligjërisht është demokratik, nuk është e nuk mund të jetë thjesht shprehje e sundimit përmes forcës e kontrollit të parisë dhe as një veprim funksional i lidhur thjesht me përcaktimin e asaj që përfitohet prej parisë.
Por, atëherë, në një nivel praktik, cili është mësimi që duhet të nxirret? Çfarë rruge duhet të ndiqet për të dalë nga kriza e pritshme, që duket se është e pashmangshme? Në lidhje me rrugën që duhet të ndiqet, nga kjo pikë e në vazhdim, në thelb, mendimi im është se zgjidhjet janë dy. Njëri drejtim është që do të vazhdojmë që të ecim në këtë rrugë eksperimentale. Kështu, do të shkojmë në fundin e saj logjik e të frikshëm, atë të një shoqërie të kriminalizuar e jonormale, sepse edhe tashti jemi edhe shumë më keq se Gomorrah e Saviano. Kjo rrugë e lehtë për t’u ndjekur e sheh shtetin shqiptar gradualisht të kthyer në Haitin e Evropës e, në rastin më të mirë, në një quartiere napoletano, apo në atë që në lingua mafiosa njihet si borgata. Drejtimi tjetër është që të ndërrohet rrugë sa më shpejt që të jetë e mundur. Prandaj, me kujdes e përkushtim shoqëror, duhet që të krijohet mundësia e përmirësimit të gjendjes. Kjo do të jetë rruga më e mundimshme. Por, në të njëjtën kohë, kjo është edhe rruga e vetme që duhet ndjekur për të siguruar të ardhmen që duhet.
Ky ndryshim i domosdoshëm shoqëror nuk mund të bëhet nga paria sunduese apo nga këpurdhat partiake, nga shoqatat joqeveritare e nga strukturat e dyshimta të interesave të tjera të organizuara, që gëlojnë në Tiranë e që janë pjesë e strukturave të parisë. Këto struktura diversive, janë thjesht zgjatje të krahëve të parisë sunduese dhe janë në shërbim të saj. Kjo rrugë kërkon angazhimin e një grupimi të ri njerëzish, të papërlyer e me përkushtim ndaj kësaj zgjidhjeje. Kjo rrugë kërkon një strukturë të qartë, ideologji e rrugëzgjidhje të mbështetura në rastet më të suksesshme të ndërtimit të shoqërive të ndryshme bashkëkohore të mbështetura në projekte modernizuese.
Mendimi im është se rruga ideale ku duhet të ecim është rruga e normalizimit të shoqërisë si një bashkësi me identitet të qartë kombëtar, të vendosjes së ekuilibreve të duhura shoqërore, dhe të ndërtimit të strukturave shtetërore që i kontribuojnë ruajtjes e kultivimit të vlerave morale. Kjo arrihet përmes zbatimit të një projekti shoqëror, që i zgjidh problemet e shumta që janë vënë në dukje në këtë përmbledhje. Zgjidhja vjen duke i eleminuar tepritë e deritanishme, por edhe duke krijuar mundësi të reja që do të jenë në të mirën e përgjithshme. Ky projekt duhet vënë në jetë në mënyrë metodike, duke mbajtur parasysh kushtet specifike shqiptare, dallueshmëritë kulturore të popullit tonë, mundësitë tona ekonomike, burimet njerëzore dhe interesat jetike kombëtare. Gjithashtu, për shkak të rëndësisë së dorës së parë që do të kenë në këto procese, duhet që të mbahet parasysh edhe roli dhe vendi i interesave të huaja që janë të pranishme si aleatë strategjikë, por edhe si shtet-kombe që kanë mimoritetet e tyre në shtetin shqiptar. Do të ketë kundërshtime nga të gjitha anët, shpesh nuk do të mbrrihet synimi i dëshirueshëm, por duhet që të bëhet më e mira që mund të bëhet. Rruga është e gjatë dhe kundërshtitë e pritshme nga shoqëria do të jenë të fuqishme. Këto do të jenë të lidhura me parinë, me strukturën shoqërore që është krijuar, me mendësinë sunduese dhe, mbi të gjitha, me shkallën e jashtëzakonshme të kriminalizimit aktual të shoqërisë shqiptare.
Që kjo rrugë të jetë e suksseshme, ka nevojë për një rindërtim të menduar mirë të strukturave e të institucioneve shtetërore, për një afirmim të vlerave e të identitetit, për një përparësi të interesit shtetëror e kombëtar dhe të vënies së interesave të bashkësisë mbi interesat personale të parisë. Kjo rrugë është rruga e ndërtimit të shtetit kombëtar, e stabilizimit të sistemit demokratik dhe e strukturave partiake. Kjo është rruga e vendosjes së një ekonomie tregu të institucionalizuar, e një administrate që zbaton ligjin dhe e kultivimit të një shoqërie civile shekullare që kontribuon aktivisht në jetën publike. Kjo është rruga e zhvillimit dhe e të lulëzimit të vlerave morale, që duhen për të kultivuar një shoqëri të shëndoshë, të begatë dhe bashkëkohore. Më në fund, por më e rëndësishmja, baza e suksesit për një tranzicion është njësimi kombëtar, formësimi i ndërgjegjes kombëtare, d.m.th. një identitet i përbashkët i shtetasve. Në rastin shqiptar, për shkak të natyrës specifike të problemit, tranzicioni shqiptar nuk mund të shihet i shkëputur nga çështja kombëtare shqiptare. Zgjidhja e çështjes kombëtare shqiptare është parakushti për suksesin e çdo reforme dhe zbatimin e çdo projekti, që do t’i vendosë proceset në hullitë e duhura.
(Marre nga Perrallat e Tranzicionit Shqiptar, bletashqiptare.org