Valbona Gjoni Karanxha
Obsesioni i mediave sociale kur dikush nga politikanët vihet në qëndër të debatit për vënien e pasurisë shpejt e shpejt i kalon parametrat e besdisjes dhe kthehet në diçka kompulsive, pothuajse bajate dhe të rëndomtë. Kjo është natyra e rrjeteve sociale. Një lajm e lexon disa dhjetra herë. Mos të sillemi sikur është herë e parë që diçka e tillë ndodh; një deputet ka vënë pasuri marramëndëse për një kohë të shkurtër. Ky është standarti. S’ka asgjë të re. Personalisht, nuk e kuptoj ku qëndron problemi. A nuk jemi mësuar me pamjet e pasurive të ketyre (priatarëve), pronave të patundëshme midis palmave etj që me thënë të drejtën nuk kam kureshtje të diskutoj se sa është networth-i i tyre, përveç se të shoh trendet, përsëritjet dhe steriotipet që të çojnë në konkluzionin: Politika është treguar e dashur me politikanët tanë. I ktheu nga culs-terreux* në lordë.
Sa do që të tregohemi meskin, e të vëmë në diskutim: A janë të denjë këta të venë një pasuri përrallore? Interpretimi është relativ. Asnjë nga ne nuk mund të gjykoj venien e pasurisë së dikujt – dhe në se e meritojnë të jenë lord apo jo. Ajo që ne kemi të drejtë të pyesim është: A është arritur pasuria në rruge legjitime? A ka transparencë? A janë deklaruar sipas proçedurave ligjore apo të ligjit për pasurinë? Në se personat janë në politikë, a ka konflikte interesi?
Ajo që – si duket – e mërzit publikun është qartësia si dita që politikanët katapultojnë në rrugë të paligjshme, ndërsa njerzit e zakonshëm mbesin skllevër legjitim të një sistemi të hartuar nga vet këta lordë.
Teorikisht mundësinë e patëm të pasurohemi. Në fund të fundit mbas 90s rrugët u hapën për të gjithë dhe akses ju dha të gjithve. Ky ëstë argumenti i tyre. Por vetëm disa përfunduan lordë. Ata që ishin në politikë, ndërsa pjesa tjetër mbetën skllevër modernë, pak a shumë si alegoria e shpellës së Platonit. Këta të fundit janë të lidhur me zinxhir dhe kanë frikë të shohin jashtë shpellës por shohin vetëm hijet e tyre brënda saj, dhe kujtojnë se hija është realiteti.
Lordët zakonisht i rrahin skllevrit me kamzhik dhe kush guxon të ngrihet ja fshikëllejnë njëherë në kurriz, dhe këta të fundit ulin kokën se lordët i kanë në dorë kotheren e bukës. Sot lordët nuk rrahin, por i mbajnë të mpirë me njëmijë e njëqind përralla. Lordët e politikës shqiptare vijnë ne forma të ndryshme, lordë drogë, lordë konçesionesh, lordë trafiku armësh, trafik nafte, etj etj. Por të gjithë bëjnë pjesë në atë klasë që quhet Pari.
Klasifikimi është nga më të thjeshtit, por ideja është që Lord në politikën tonë të bën diçka e paligjshme, sepse e kundërta të bën lider shteti ose politikan karriere. Në se këta të sotmit janë lordat e kanabisit dhe të koncesioneve, ata të djeshmit ishin lordët e trafikut të armëve.
Skllevërit brënda shpellës, drejtohen nga vasalët që prodhojnë opinionin publik ose histerinë kolektive. Më saktë, le të marrim incidentin e Gërdecit. Gurguleja që plasi vrau rreth 27 dhe gjymtoi me dhjetra të tjerë. Drejtësi po kërkohet edhe sot e kësaj dite për këta 27 vetë. Kjo ishe e gjithë meseleja. Kur në fakt mesatarisht 34 vetë vdesin të paktën në ditë nga krimet, mosha , sëmundjet aksidentet në Shqipëri. Pra statistikisht nuk ka asnjë lloj peshe. Po ku qëndron çështja? Çfarë është më i fortë se ekplozioni? Pikësrisht, Lordi i ri që e mori në 2013 i ka qëndruar larg kësaj përgjigje dhe premtimeve që bëri. Përgjigja është e thjeshtë: Korrupsioni i lartë qeveritar. A ka kuptim t’i kthehem detajeve? Lordët e të gjitha palëve e dinë dhe kanë rënë dakord, ndërsa skllevërit vazhdojnë jetën në shpellën e Platonit.
Por po ti kthehemi mendimit katundaresk, politikani tipik shqiptar nuk ka interes t’i mbaj të fshehta pasuritë e pronat sepse është në mentalitetin e pasunarit të ri shitmëndja, zbardhja e banjove, e dhomave të gjumit e kostumeve, kravatave etj etj. Kjo është shenjë e varfërisë shpirtërore dhe lidhjes me materialen. Ajo që ka rëndësi në tërë këtë dilemë morale është fakti i thjeshtë që trafiku i armëve, konçesionet, përhapja e drogës, kontrolli i të gjitha burimeve natyrore, financiare për përvetsim vetjak, pra të gjitha këto kanë një emrues të përbashkët. Mungesa e shtetit, dhe kur shteti mungon, ateherë drejtojnë lordët. Dhe lordët nuk drejtojnë në se skellvërit nuk duan të drejtohen nga ta. Janë skllevërit pa janë lordët, njëri nuk mund të egzistojë pa tjetrin në një shoqëri të polarizuar dhe të ndarë me klasa.