Miq e dashamirës, viti që lamë pas ishte padyshim një nga më të vështirët në Shqipërinë e 30 vjetëve të fundit. Nuk ishte i lehtë as per shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe trojeve të tjera etnike. U mbyll me dy ngjarje tragjike, tërmetin dhe takimin antikombëtar të mini-Shengenit.
Nuk është e rastësishme që F. Albana u themelua gjatë këtij viti të mbrapshtë për shqiptarinë, me qëllimin për të bashkëpunuar në nivel mbarëkombëtar, sepse këtë vit më shumë se kurrë u bë e qartë, që shqiptarët duhet të bashkëveprojnë më ngushtë, nqs duan t’i shpëtojnë stuhive që po afrohen; izolimit euro-atlantik, autokracisë dhe Serbisë së madhe.
Sot, më shumë se kurrë, forca të errëta antidemokratike e antikombëtare janë duke punuar për të rilindur makthet e shqiptarisë dhe për t’ia kthyer shqiptarëve të ardhmen në një ferr të vërtetë.
Po risjellim historikun e shkurtër në 15 foto, që të ndajmë kujtime me miqtë e vjetër dhe t’u themi se asgjë nuk ka ndryshuar në qëllimet tona, por edhe që miqtë e rinj të kuptojnë më mirë përmasat mbarëkombëtare dhe objektivat tona.
Tërmeti i 26 Nëntorit pezulloi protestën dhe në njëfarë mënyre duket se ftohu cdo opozitarizëm në Shqipëri, si opozitarizmin kundër qeverisë, ashtu edhe atë kundër klasës politike në tërësi.
Megjithatë jemi të bindur se shumë shpejt gjërat do të ndryshojnë dhe ne jemi të gatshëm të bëjmë pjesën tonë, kundër cdo padrejtësie, kundër cdo antikombëtarizmi, kundër cdo autokracie, kundër zhvatjes e korrupsionit.