Fondacioni Albana në 107 vjetorin e Pavarësisë, që për fat të keq i kapi shqiptarët në mes të një tragjedie kombëtare, organizoi udhëtimin dhe strehimin në Kosovë të 65 personave të cilëve iu shkatërruan shtëpitë prej tërmetit. Në rrethana të tilla emergjence, Fondacioni Albana me ndihmën e pacmuar të grupit të Zvicrës dhe te Dardanisë arriti të mbledhë fondet dhe të sigurojë strehimin e familjeve të prekura prej tërmetit tek vëllezërit shqiptarë të Kosovës.
Përtej frikës, vuajtjes dhe dëshpërimit, jemi dëshmitare të faktit se fryma e solidaritetit kombëtar dhe e ringritjes nga tragjedia është ende karakteristikë e gjallë e kombit tonë.
Ndër gjithë të angazhuarit, meritë të vecantë kanë Nderim Ibrahimi (Kosovë), Bajram Zendeli, Vaid Seiti (Iliridë/Maqedoni), Fabio Zeneli ( Shqipëri) të grupit të Zvicrës.
Kjo dëshmon edhe njëherë se bashkëpunimi mbarëkombëtar mes shqiptarëve është i domosdoshëm, jetik e frytdhënës.
Fondacioni Albana, krahas strehimit në Kosovë të të prekurve të tjerë prej tërmetit, ka siguruar ushqime e veshmbathje, të cilat do të shpërndahen drejtpërdrejt tek familjet në nevojë, mundësisht tek të dëvmtuarit e harruar prej kamerave televizive dhe magazinave të mëdha qeveritare.
Në bazë të verifikimeve tona në zonat më të dëmtuara dhe të lajmeve që qarkullojnë, organizimi i shpërndarjes kapilare është për tu përmirësuar. Përkeqësimi i terrenit nga shtrëngatat e vazhdueshme e bën punën më të vështirë, sidomos në zonat kodrinore e në fshatrat me rrugë të pashtruara.
Fondacioni Albana i bën thirrje të gjithë shqiptarëve etnikë kudo në botë, që të ndihmojnë sa më shumë, brenda mundësive të tyre dhe tek cdo organizatë, ku kanë besim, sepse gjendja është tragjike dhe afatgjatë.
Ftojmë gjithë shqiptarët që kanë besim tek ne dhe grupet tona me përbërje mbarëkombëtare, të kontribuojnë me fonde, ushqime, veshmbathje dhe strehim. Ne jemi të gatshëm 24 orë në ditë, për të ndihmuar cdo familje që ka nevojë për ndihmë.
Për ndihma në linkun: