Nga Bledar Dika.
Duke nënrenduar qëndrimet e lartështruara (Kriza e përfaqësimit politik dhe kriminalizimi politik pjesa I) mund të sintetizojmë që interesi na shfaqet si “një element politik origjinar”. Pra, organizatat moderne të interesit janë shprehje e një sjelljeje politike në vetvete. Interesat organizohen duke u pasuruar me një strukturë tekniko-burokratike, me qëllim që të veprojnë politikisht. Kjo qasje është e ndryshme nga ajo e Carl Shmitt, për të cilin interesat paraqiten ab origine jo të lidhura me sferën publike dhe përfaqësimin. Në të kundërt nga qëndrimi Scmittian ato i përkasin, duke qënë politikisht influencuese, sferës publike. Ndërsa, partitë, “përndjekin – dhe tutelojnë – interesat e tyrë të veçanta, pa marrë përsipër përgjegjësinë për ushtrimin e pushtetit shtetëror”, ndryshe është kur flitet për përgjegjësi politike për të cilën partitë mund të penalizohen apo të shpërblehen elektoralisht.
Gjithsesi, të dyja, si partitë ashtu dhe organizatat e interesit ushtrojnë një aktivitet politik. Madje organizatat e interesit, edhe pse për natyrë përndjekin qëllime të veçanta, ato duken të detyruara që të orientojnë veprimtarinë e tyre në situata dhe ngjarje që lidhen me socialen. Kjo për motive që lidhen edhe me imazhin duke qënë se duhet t’i përgjigjen tanimë nevojave të një qytetërimi industrial. Në këtë sens ato shpesh e modelojnë veprimtarinë e tyre pikërisht duke iu referuar rendit të përgjithshëm dhe të mirës publike.
Organizatat e interesit në shumëllojshmërinë e tyrë përbëjnë tashmë jo më eskluzivisht privaten as edhe totalisht publiken, por atë të cilën mund ta përkufizojmë me termin sociale. “Shoqëria e epokës sonë nuk është më ajo shoqëri homogjene borgjeze, e cila integrohet në mënyrë organike në Shtet nëpërmjet partive dhe parlamentit, por është shoqëri e ndarë dhe e organizuar në asocacione sipas interesave të saj”. Në këtë sens nëse do ta trasferoninm raportin midis partive dhe organizatave të interesit në raportin midis Shtetit dhe shoqërisë, do të verenim që këto ndodhen në një marrëdhënie dialektike të tipit Hegelian, e cila në sintezë do të mbronte dhe konservonte lirine e qytetarëve. Përderisa shoqëria është tashmë e përbërë nga interesa të organizuara, këto të fundit kanë jo vetëm karakter politik, por janë edhe të nevojshme në sferën publike. Nga ekzistenca e tyre dhe nga aktiviteti i tyre në lidhje dialektike me veprimtarinë e Shtetit, varet edhe mbrojtja e asaj vlere politike themeltare që është liria e individit. Në këtë sens “pozicioni dhe funksionet e interesit” përbëjnë “çështjen kushtetuese të shekullit tonë”.
Duke patur parasysh këtë “ideal tip” të organizimit të interesave dhe të influencës në përfaqësimin politik, pra duke mbajtur këtë parametër mund të vlerësojmë akoma më mirë aspektet e përfaqësimit politik dhe marrëdhënies midis këtij të fundit dhe interesave të organizuara në Shqipëri.
Në këtë kuadër duke zhvilluar një analizë diakronike të fenomenit të përfaqësimit në Shqipëri mund të themi se ai eshte kushtezuar jo më shumë nga zgjedhësit, sesa nga sistemet qeverisëse që në pjesën më të madhe janë instaluar me praktika jo demokratike. Keto sisteme qeverisese kane optuar, të paktën deri në fund të viteve 80, në konfigurimin e mekanizmave zgjedhor që pothuajse praktikisht kane mohuar totalisht përfaqësimin. Me ndërrimin e regjimit në fillim të viteve 90 dhe me zbritjen e partive të reja në arenën politike, pati një ndryshim radikal të sistemit të përfaqësimit, ku më në fund u arrit që të vendosej një sistem zgjedhor, i cili lejonte pjesëmarrjen e alternativave të ndryshme politike dhe ndarjen e mandateve midis tyre. Ky ishte një hap i rëndësishëm për thyerjen e sistemit totalitar njëpartiak që kishte mbizotëruar për gati gjysëm shekulli në Shqipëri. Gjithsesi lejimi i pluralizmit partiak e adoptimi i sistemeve zgjedhore perëndimore nuk patën efektet e dëshiruara ne lidhje me zhvillimin e vendit, kjo per arsye se të mandatuarit dhe partitë e tyre në radhë të parë nuk ishin konkluzion i një zhvillimi intelektual liberal, në radhë të dytë sepse nuk kanë përfaqësuar interesat apo vullnetin e përgjithshmë të elektoratit, por as edhe interesat e grupeve të organizuara sociale dhe ekonomike (këto akoma nuk ishin formuar), dhe llogaritjet e tyre shpeshhere kane qene në lidhje me praktikat, të cilat do të mund të përkulnin standartet që ofronte sistemi elektoral në letër, në mënyrë që të tjetërsohej vullneti i elektoratit në rast disfate elektorale dhe kështu të zotërohej pushteti për të ndjekur thjesht interesat e domestica-s së ngushtë personale, ndërsa elektorati nga ana e tij, gjendej në kushtet ku përfaqësimin në vetvete e shikonte si një liri, jo për të deleguar përfaqësues të interesave të tyre, por për të vendosur se kush do të ishte alternativa jo më përfaqësuese. por më pak e dëmshme.
Vetëm vonë në Shqipëri mund të flitet për përfaqësim politik apo për probleme të përfaqësimit politik të cilat vendet e kaluara i kanë kaluar kohë më parë.
Në këtë perspektivë janë riparaqitur disa mënyra përfaqësimi që i kanë përkuar të së kaluarës në vendet perëndimore. Në shumë kontekste lokalizmi, ose më mirë nevoja për të përfaqësuar interesa të ngushta dhe specifikë, ka favorizuar më shumë të ashtuquajturën “pari të qyteteve”. Në Shqipëri të paktën deri kur ishte ende në fuqi sistemi mazhoritar kemi patur gati përherë, përfaqësues të ardhur nga kjo klasë shoqërore. Nga vitet 80 e këndej në disa nga demokracitë europiane do të lindnin kërkesat për përfaqësim territorial dhe deri diku edhe etnik. Do të flitej për “ndërtim identiteti”, në këtë sens se fundmi në Shqipëri, kemi rastin e shumë partive, të cilat janë të lidhura me territore të caktuara apo me grupe që përfaqësojnë një grup shoqëror të përcaktuar. Kështu kemi partinë PBDNJ e cila ka përfaqësuar atë pjesë të jugut të Shqipërisë të minoritarëve grek, apo partinë e ashtuquajtur çame, PDIU, e cila ka përfaqësuar atë pjesë të popullsisë Shqiptare te krahinës së Çamerisë të aneksuar nga Greqia. Gjithashtu se fundi nën frymën e një nacionalizmi te pastrukturuar edhe deideologjik të një partie si Aleanca Kuq e Zi, u tentua të kishte një përfaqësim në këtë drejtim, nën thirrje aklamative etniçiste, kjo tentativë përfundoi e pa përfaqësuar nga as edhe një deputet. Nuk vlen më shumë pra, substrakti historiko-kultural i këtyre identiteteve se sa kapaciteti i tyre për të mbledhur konsensus dhe mbështetje për të kërkuar përfaqësim politik.
Është koha dhe aspak anakronike që niveli I diskutimit në Shqipëri të ngrihet në analizën e sistemeve elektorale në vetvete dhe ne identifikimin e atij sistemi, i cili do te ishte optimal në lidhje me përfaqësueshmërinë në shoqërinë shqiptare. Pra, nuk është aspak e pavlere trajtimi i temës në terma ngushtësisht analitikë e proçeduralë, dhe aspak i drejtë sakrifikimi i një diskutimi në terma të tillë kundrejt problematikave të tjera zgjedhore që normalisht janë edhe ato shumë të rëndësishme si vjedhja e votës, shitblerja e saj etj. Praktika këto të fundit të cilat mund të favorizohen nga sisteme elektorale te caktuara dhe mund të penalizohen nga të tjera, por gjithsesi në një masë relativisht të dobët sepse fenomene të tilla ne vendet e zhvilluara perëndimore evitohen përfundimisht nga vetë ndërgjegja kolektive e shoqërisë e nga niveli i koshiencës demokratike të saj. Kështu nga ana e saj diskutimet parimore, analitike e proçedurale rreth sistemeve elektorale do të ndihmonin pikërisht në ndërgjegjësimin e shoqërisë, si asaj të përfaqësuar si asaj përfaqësuese, se momentet primordiale si vjedhja e votës apo shitblerja e saj janë përfundimisht të papranueshme, dhe diskutimi duhet ngritur në nivele të tjera dhe vëmëndja duhet përqendruar në vetë sistemet elektorale, të cilat mund të penalizojnë përfaqësimin. Pra edhe sikur mos të ketë vjedhje apo shitblerje votash edhe sikur proçesi zgjedhor te vijojë i lirë e i ndershëm, qytetari përsëri mund të jetë i keqpërfaqësuar.