Pse publiku shqiptar sundohet ende sot nga propaganda qeveritare nëpërmjet bashkëpunimit me mediat kombëtare, që ofrojnë platformat e tyre për gënjeshtrat e radhës. Pse vazhdojmë të jemi të pafuqishëm që ta refuzojmë këtë propagandë?Janë kushtet ekonomike të mjerueshme, pasojë e një historie dhe aktualiteti të trishtë e të pafat me politikanë e liderë, grykësia e të cilëve ka pasuruar vetveten dhe lënë në mjerim shumicën e popullsisë. Pra janë kushtet ekonomike, që ngushtojnë larminë e veprimtarisë së individëve në përditshmërinë e tyre. Shqiptari në këto kushte bëhet vetëreferues, pasiguria e vë në kushte të vështira të zgjedhë më të mirën, prandaj vendimet shtyhen. Momenti i veprimit nuk përputhet me atë të vendimit, individi i paemancipuar ekonomikisht, gjendet i papërgatitur për t’u përballur me sfidat; i frikësuar nga vendimet që mund t’ia përkeqësojnë gjendjen kërkon të ketë më shumë kohë, duke e lënë momentin vendimmarrës zvargur. Ndaj një publiku të tillë, elita qeverisëse gjen një terren pjellor ku të shpërndajë propagandën dhe premtimet politike pa u merakosur t’i përmbushë këto. Gjatë komunizmit, u premtua liria, barazia, solidariteti, mirëqenia, që u zvarrit dhe nuk erdhi kurrë. Përkundrazi ëndrra e barazisë dhe lumturisë shoqërore u transformua në një makth me përbindësh gjakatarë, që sfilitën një popull të tërë dhe ashtu të paveshur e të pangrënë të vërshonin drejt Perëndimit në fillim viteve 90, porsi nëpër eksodet biblike për më shumë mirëqenie. Në të njëjtën mënyrë, që nga rënia e komunizmit e deri në ditët e sotme, jetojmë në një tranzicion të pambarimtë, që zvarritet zvargur. Në një çerekshekulli ku politika premton mrekulli, por nuk përmbyll as premtimin më të vjetër të kësaj demokracisë tonë, atë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, apo atë të hyrjes në Bashkimin Evropian. Në fakt jemi dëshmitarë të lajmeve të njëpasnjëshme të shtyrjes së datës së hapjes së negociatave apo hyrjes në këtë komunitet. Është e rëndësishme të theksohet që kasta politike bën levë, pikërisht në prirjen e shqiptareve për ta pranuar e toleruar shtyrjen e gjërave në përgjithësi, si një fenomen që gjen shtrat në karakteret e tyre të pasigurta ekonomike dhe kështu shtyrja në vetvete nuk mund të na irritojë më shumë se ç’duhet. Në këtë kuptim, nën kuadrin e përfaqësimit politik, bëhet tërësisht e parëndësishme llogaridhënia e Kastës, nëse nuk paraprihet nga kërkesa e llogarisë nga ana jonë. Qeveria nga ana e saj, duke i shtyrë për në kalendat greke mbajtjen e premtimeve zgjedhore dhe kryerjen e reformave për të cilat janë votëbesuar, në thelb, nuk kryen detyrat e saj politike. Pushteti në këtë kuptim, ndërtohet mbi zvarritjen e gjërave, mbi predispozitën e qytetarëve për të pranuar pezullimet dhe shtyrjet. Pra jemi në kushtet ku zvarritja, harresa në kalendat greke krijon pushtet, pushteti i shtyrjes apo i harresës, një kalendokraci. Në kushte të tilla, të qeverisurit bëhet një fakt thjesht i të komunikuarit me publikun. Efektet në këtë kuptim bien mbi cilësinë e jetës dhe krijojnë pasoja të njëjta me ato që përjetojnë popujt e botës së tretë. Ajo pjesë e publikut kritik, mund të hyjë në spiralen e heshtur të atyre ideve, të cilat frikësohen nga epërsia e opinionit dominues. Qëndron rreziku që opinionet kritike, nën efektin e zvarritjes jo vetëm të mos nyjëtohen, por edhe të ndryshohen e të përputhen me opinionin dominues të publikut, i cili ushtron ndikim dhe një forcë rëndese tejet efektive. Media në këtë kuptim ka një rol vendimtar në gatitjen e opinionit publik duke detyruar neutralitetin e tij e duke e shantazhuar si të prapambetur, në raste kur ky nuk është neutral dhe guxon psh të protestojë spontanisht apo të kumtojë kundër sistemit. Për të gjitha këto arsye me vetëdije apo pavetëdije mediat tona duke qenë ambienti i domosdoshëm për mbijetësën e kësaj klase politike mund të jetë cdo gje, por dashamirëse ndaj vendit e kombit tonë kurrsesi jo. Për ta mbyllur mund të themi, që për të dalë nga rreziqet e efekteve të kalendokracisë e mediakracisë duhet që deri në emancipimin e mediave të gjejmë mjete të tjera informimi e të bindemi që çdo zgjedhje brenda sistemit nuk do bëjë gjë tjetër vecse do të zvarrisë agoninë tonë edhe për 4 vite të ardhshme. Për të dalë nga vorbulla mediatikë, për të evituar që mendimet tona të dominohen nga opinion publik i gatuar nga trushpëlarësit e Kastës, për të evituar rënien në spiralen e heshtjes, detyra e parë është që në çdo formë e me çdo mjet të shprehim mendimin tonë. Mediat sociale ofrojnë një mundësi në të cilin gjithsecili prej nesh mund të shprehë opinionin e tij në profilin e tij. Në këtë kuptim brezat e rinj e kanë kryer këtë proces duke zgjedhur rrjetet sociale si mediumet e duhura për nevojat e tyre komunikuese dhe informuese. Si gjithnjë rinia me hovin, energjinë dhe intuitën e saj i paraprin ndryshimeve të mëdha në një shoqëri, ndoshta ky është revolucioni i vërtetë në këto 30 vite tranzicioni. Është braktisja në masë e mediave klasike nga ana e të rinjve. Kemi pritur dhe kemi uruar duke parë në vendin e gabuar, që të rinjtë ta fillojnë revolucionin pas tranzicion, ndërkohë që ata e kanë kryer me kohë dhe janë duke pritur brezat e tjerë të bashkohen duke fikur televizorin fillimisht.Bledar Dika, pedagog i lëndëve ‘’Komunikim në Marrëdhëniet me Publikun’’ dhe ‘’E Drejta Kushtetuese’’. Eshtë arsimuar në Universitetin ‘’Sapienza’’ të Romës dhe kryen funksionin e kryetarit të Bordit Drejtues të Fondacionit Albana.