Miq e dashamirës,
Fondacioni Albana, sikundër shumë prej jush e dinë, ka shpallur nismën për krijimin e Enciklopedisë, e para e këtij lloji në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Të vetëdijshëm për barrën, mundin e sakrificën që kjo nismë kërkon, kemi studiuar dhe analizuar me hollësi e vëmendje të madhe çdo hallkë deri tek kompletimi i saj.
Për krahasim, Enciklopedia italiane Treccani, ka kërkuar impenjimin e mbi 3 000 studiuesve dhe intelektualëve italianë. Kuptohet që Enciklopedia shqiptare do të trajtojë historinë, gjuhën dhe kulturën e periudhës iliro-pellazgjike, kështu që është më e profilizuar dhe kërkon shumë më pak njerëz, energji e burime, por sërisht është një punë kolosale që na pret.
Dimë që, përveç qindra autorëve shqiptare që janë marrë me studime në iliristikë e pellazgologji, ekziston dhe një masë e madhe, që në mënyrë krejt vullnetare kanë mbledhur materiale nga autorë të ndryshëm antikë, fotografi e dokumente, të cilat nuk rezultojnë të kataloguara askund.
Dëshirojmë një mendim nga ana juaj, se cili nga formatet është më i përshtatshëm:
Puna është konceptuar e ndarë në 3 faza:
Faza 1- Mbledhja e materialeve
Materialet do të mblidhen në një database, ku përpos materialit të grupit të punës të Fondacionit, do të pranohet material nga kushdo, me një kusht, që çdo material i dërguar të ketë citimin e autorëve antikë apo autorëve moderne, shqiptarë e të huaj, ose dokumentim me fotografi apo video. Në këtë mënyrë, gjithë materiali i mbledhur do të jetë formalisht me vlerë shkencore. Nuk do të pranohet material, i cili nuk i përmban referencat e mësipërme dhe/ose është i pambështetur në një metodologji.
Faza 2- Përzgjedhja e materialeve
Gjithë volumi i mbledhur i materialeve do të kalojë në një filtër paraprak dhe do të kategorizohet saktë sipas gërmave të alfabetit. Synimi i fazës së dytë do të jetë eleminimi i materialit të dyfishtë e shumëfishtë, eliminimi i materialit që përmban citime e referenca të gabuara dhe për lehtësi pune, kategorizimi në material për iliristikën dhe material për pellazgologjinë. Do të përzgjidhen, gjithashtu, materialet me më shumë referenca e dokumentim.
Faza 3 – Redaktimi shkencor
Materiali i përzgjedhur në fazën e dytë do të kalojë në filtrin e një grupi shkencor, i cili këtë material, formalisht shkencor, do ta verifikojë nga pikëpamja përmbajtësore duke e kaluar në sitën e parametrave dhe kritereve shkencore. Do të respektohen shkollat e ndryshme të mendimit shkencor duke përmendur edhe dy apo më shumë hipoteza rreth të njëjtës tematikë. Nuk do të merren parasysh shkolla pseudo-shkencore e Akademisë së Beogradit dhe e qarqeve akademike pseudo-shkencore greke e/o antishqiptare, kështu që çdo studiues filoserb e filogrek është i ftuar të rrijë sa më larg këtij projekti.
Fondacioni Albana garanton se të drejtat e autorit të kësaj Enciklopedie do i kalojnë kombit shqiptar.
Të gjithë shqiptarët, pa asnjë përjashtim, janë të ftuar të ndihmojnë në krijimin e kësaj Enciklopedie, qoftë duke e diskutuar kudo ku kane mundësi, qoftë duke dërguar material, qoftë nëpërmjet ndonjë dhurate financiare ose mbajtjes së ndonjë seminari, simpoziumi apo konference, si dhe në çdo formë qe ta shohin të arsyeshme.
Të gjithë shqiptarët, që do të ndihmojnë në çfarëdo forme që do e shohin të arsyeshme do të përmenden dhe falënderohen në Enciklopedi, sipas llojit të ndihmës, si dhe do të botohet e dhurohet nga një kopje e shkruar për secilin.