Paria e Tiranës e ka futur vendin dhe shqiptarët në një spirale pa kthim. Pazaret, kriminalizimi,makutëria e pafre, hajnia, sharjet e ndërsjella, teatri i pështirë mediatik dhe humbja e besimit janë disa fenomene tanimë të pakthyeshme që karakterizojnë këtë Pari. Sidomos humbja e besimit të njerëzve tek politikanët e të gjitha krahëve dhe paaftësia dhe mosdëshira e këtyre për të shërbyer, janë simptoma fatale për sistemin oligarkik e hajnor të Parisë. Për t’a thënë popullorshe, nuk shkon më kungulli në ujë.
Kjo situatë mund të shtyhet, kriza artificiale e prodhuar nga kokat e Parisë mund të kalohet me marrëveshje dhe propagandë, këta mund të arrijnë t’a shtyjnë edhe ca kohë por fundi është i pashmangshëm. Do vijë një moment shumë shpejt kur valvulat shfryrëse që këta përdorin si p.sh. demonstratat apo sharjet e ndërsjella me gjuhën e urrejtjes, ose do bllokohen nga forca të jashtme për qëllimet e veta ose nuk do mjaftojnë më për të mbuluar diellin me shoshë. Faza e apatisë ka filluar të ndjehet fort, shumëkush dëshiron me ikë, e mbas kësaj faze vjen furtuna e parashikuar por jo e parashikueshme për nga pasojat.
Për rrjedhojë, përtej fjalimeve fjalëbukura por të zgërrlaqura të bandës kriminale Rilindiste, kërcënimeve të ngjirrura e hipokrite të trustit kriminal të Salehit, dhe vullnetit jeniçer të Like Floririt për të vazhduar traditën shekullore “vrit, digj e përrla”, fundi do vijë. Siç e patëm parashikuar dhe e gjeni të shkruar e bardha mbi të zezë tek Manifesti i Bleta Shqiptare, zgjidhjet nga jashtë janë të destinuara të dështojnë dhe vazhdimi i skllavërimit të shqiptarëve nuk mund të shkojë pa fund. Siç u pa qartë këto muaj, të huajt vendosën karantinën, ndërtuan murin diplomatik dhe përtej retorikës na thanë ” veten vrafshi me këta që zgjedhni”. Paria e di se po gjeti zgjidhje të cilat në planin e shkurtër nuk cënojnë interesat e të mëdhejve, të huajt do na lënë në llumin tonë. Pra, Paria kërkon dhe gjen deridiku carte blanche për pislliqet e veta. Më anë tjetër, edhe pse nuk duket në sipërfaqe, edhe pse sheshet janë plot me demonstrues, edhe pse mitingjet elektorale buçasin nga duartrokitjet, urrejtja në popull për plehrat e Parisë është e thellë dhe në buzë të shpërthimit. Historia e shqiptarëve na mëson se çdo shkëndijë do mjaftonte, dhe Parisë do t’i vijë nga s’e pret.
Ndaj me eliminimin e dy të mësipërmeve, zgjidhjet në këtë pikë mbeten dy: e para, një përmbysje e dhunshme pasojat e së cilës mund të shkojnë nga një luftë vëllavrasëse me baza fetare, krahinore e sektare me nxitjen e armiqve të shqiptarëve nën drejtimin e kryehajnave të klaneve të Parisë e deri tek zhdukja nga faqja e dheut e kësaj Parie me soj e me sorrollop siç ka ndodhur shpeshherë më parë në historinë tonë. Kjo e fundit është frika e vetme e Parisë, të gjitha palëve, ndaj dhe përpiqen të mirren vesh që të mos shkojë puna deri tek gjaku. Zgjidhja e dytë është një ruptura pactada, një pakt i ri për zëvendësimin e elitave dhe eliminimin nga loja politike të të gjithë këtyre, duke ju garantuar një pjesë të pasurisë por mbi të gjitha jetën e vet dhe familjarëve. Zgjidhja më e pranueshme do të ishte krijimi i një këshilli pleqësie, në format Senati, pa të drejta legjislative por që u garanton status e paprekshmëri.
Në gjykimin tim, ne shqiptarët kenibderdhur mjaft gjak, tani po pakësohemi sikur të na ketë rënë murtaja e zezë, po mbushet vendi me pakica nga gopi i sëmës dhe kontrollohemi politikisht nga pakica që nuk na e duan të mirën. Zgjidhjet e përgjakshme duhen evituar brenda mundësive, ndaj dhe e preferueshmja do ishte zgjidhja e dytë për të ndërtuar një shtetkomb të shqiptarëve. Sigurisht që ka edhe një variant të mesëm ku një revoltë popullore paqësore nën drejtimin e sipërmarrësve politikë me ideologji kombëtare e detyron Parinë të lëshojë pe.
Mirëpo në vend që të diskutojmë këto gjëra merremi me cicmicet e këtyre që janë denga pa markë e pemë pa kokrra sepse fundin e kësaj rruge e dimë. A mundemi të ndryshojmë udhë? Po, por ndryshimin mos e prit nga jashtë, fillo me veten.