Dr. VALBONA GJONI KARANXHA
Kjo tingëllon klishe pasi politikanët e luajnë kartën e kombëtarizmit kur nuk i dalin llogaritë në momentet e fundit, ose kur janë shteruar burimet, garancitë, dhe imagjinata për të rekrutuar atë pjesë të popullsisë e cila beson në ndërtimin e nje shteti komb për shqiptarët harbon si kuajt e egër. Pra kur e do puna, kombëtarizmi kthehet në retorikë për të mbushur nevojat politike imediate. Dhe mundësia për të shpalosur flamurin “nacionalist” nuk ka munguar për shkak të pozitës sonë në Ballkan. Por nuk mund të konvertohesh në kombëtarist sot, dhe nesër kthehesh përsëri në zakonet e vjetra ato të përçarjes në bazë të ideologjive të vjetra a moderne dhe nga ideologjia në ideologji nuk mund të hidhesh kur e do nevoja. Kështu që një globalist/kozmopolit nuk mund të bëhet kombetarist kur e kërkon situata, dhe si rrjedhojë të nxjerrë flamurin nga sirtari, dhe ta shuk prapë aty kur mbaron punë. As kombëtaristet part-time por as edhe ata që u ekzaltuan nga ndjesia e të qënit atdhetar-mitingjesh nuk e përmbushën dot boshllëkun që vërtet ndihet në bërthamën e kombit sot sepse retorika e tyre ishte trillim i momentit për qëllime përfitimi. Me fjalë të tjera, retorika kombëtariste sidomos keto pesë gjashtë vitet e fundit ka qënë vetëm një ekstazë nacionaliste momenti, një histerizëm i etnosimbolikës, dhe i hartave territoriale duke i shkaktuar më shumë kokçarje çështjes se duke e avancuar atë.
Kam shkruar përpara disa vjetësh një artikull ku kam kritikuar përpjekjet sipërfaqsore të neo-nacionalizmit shqiptar i cili kufizohet në disa etnosimbole, si flamuri, veshje kombëtare, ngjyrat kuq e zi, dhe në hartën territoriale të Shqipërisë Etnike, parada, kur në të vërtetë kishte një mundësi dhe një magnitude të jashtëzakonshme të përhapte ideologjinë kombëtariste. Por kur një lëvizje ka një ideologji, ka një bazë në popull, por i mungon lidershipi autentik, atëherë nuk bëhet fjala për sukses pasi lëvizja kthehet në një mjet diskretitues i ideologjisë që përfaqson, dhe dashur padashur identifikohet me lidershipin. Pra kauze e dështuar. E solla këtë shëmbull për të mësuar nga e kaluara, e sotmja, dhe nga spekullimet me një çështje kaq delikate siç është ajo kombëtariste. Sot çështja kombëtare është në rekordet më të ulëta që ka qënë ndonjëherë dhe arsyen do mundohem ta shpjegoj më poshte.
Në momentet që jetojme, në distopinë që na futi klasa politike, pra mbas njëzet e gjashtë vjet mundësishë të pluralizmi politik, asnjë parti politike nuk përfaqson me dinjitet çështjen kombëtare dhe politikën vllazërore për t’i bërë ballë proçeseve të erozionit të kombit tonë për shkak të dy agjentëve grryejtës si ai i historisë dhe i gjeopolitikës. Nga partitë e majta, në të djathta, të qëndrës, deri në partitë e gjelbëra ideologjia është një përçartje dhe baltosje e faktorit shqiptar si qënie inteligjente duke e klasifikuar atë në kavje ideologjike, të pa-ndërgjegjshme dhe tërësisht të manipulueshme. Pra, në mënyrë që një qënie të kthehet në skllav, – me dëshire- ajo që goditet e para është mënyra e të menduarit dhe ofrimi i disa varianteve ideologjike të cilat nuk janë ideologji kombëtariste apo ideologji të mirëfillta. Strukturat partiake, grupet e interesit sot janë në luftë me njëri tjtrin për influencë. Shpërhapse të venemit, ata ofrojnë panorama dhe “muzgje mistike” si përgjigjet e të ardhmes po aq mistike sa kjo e tanishmja, ku dikush me kuriozitet hyn me mëdyshje por del i riprogramuar me qëllim që të behët militant i strukturës perkatse duke mohuar identitetin e tij kombëtar dhe duke përqafuar atë ideologjik, apo fetar. Mbas riprogramimit, atëherë këto struktura përkatse i përdorin këta skellëver për t’i marrë dinjitetin (votën) dhe për t’i ofruar një kafshatë minimale me qëllim që këta të fundit të mos ndiejnë nevojën të revoltohen. Në këtë mënyrë goditet ndërgjegja e kombit, pasi një njeri kur nuk identifikohet me kombin e tij atëherë nuk është i lirë, nuk perket asgjëkundi. Ai është vegël e kujdo.
Sot për sot mungon një program ku në bazë të së cilit është shteti-komb. Shteti komb tingëllon si koncept i thjeshtë por nuk është në të vërtetë. Shqiptarët kanë një komb por nuk kanë shtet. Kemi dy shtete inefektive të cilët nuk kanë prioritet shqiptarin, por interesin e klasës politike. Kombëtarizmi është ndjenjë dhe si e tillë egziston përpara shtetit (Smith), por edhe shteti -nga ana tjetër- mund të funksionoj si strukturë moderne i cili është në shërbim të qytetarit, por jo në shërbim të kombit dhe këtë duan të arrijnë ndërkombetarët duke sugjeruar dy shtete funksionale shqiptare, dy shtete ligjore-politike, dhe jo një shtet komb.
Në parim është më se i pranueshëm, por edhe në praktikë pasi shqiptarët nuk kanë pasur ndonjëherë shtet funksional të paktën këto njëzet e gjashtë vjet. Por kjo nuk është edhe aq e thjeshtë, sepse këtu bëhet fjala për një pazarllëk në kurriz të kombit. Është krijimi i një shteti jo në bazë të etnisë por në bazë të një komuniteti politik-ligjor të kontrolluar nga organizata ndërkombëtare. Kështu që etnia shqiptare nuk ka shumë rëndësi ajo mund të ndryshoj. Ky plan duket se po funksionon pasi përqindja e etnicitetit shqiptar tani është 75% nga 90% që ishte në vitin 1990. Pra, me këtë prezupozohet që shteti ynë të jetë civik dhe funksional me mundësi të hapura për të krijuar multi-etnicitete në territorin e të dy shteteve shqiptare.
Llogaria e thjeshte matematike; duke hequr këto dy faktorë (territorin dhe etninë) nga kombëtarizmi ngelemi me “të kaluarën e përbashkët historike, gjuhen dhe etnosimbolizmin”, jo të mjaftueshme për ne. Etnia dhe territori janë dy faktorët kyç të kombëtarizmit në rastin tonë. Por duke i humbur i lëmë mundësi dhe hapësirë të zgjerojmë diversitetin e etnive të tjera duke u kthyer një entitet multikultural. Mirëpo hapat e këtij lloj nacionalizmi civik shqiptar janë galopante dhe ky lloj nacionalizmi është më se i pranueshëm për ndëkombëtarët. Kjo politikë, duke u mbështetur nga klasa politike shqiptare ka bërë që të rrjedh faktori kombëtar -shqiptarët në emigracion. Duke braktisur territorin, në të dyja shtetet hapet vënd për pakicat e ndryshme dhe zbatimin e programeve ndërkombëtare të refugjatëve pranimi i të cileve ka qënë i padrejtë në proporcion me popullatën tonë. Por meqënëse klasa politike do bëj gjithça për të forcuar pozitat me ndërkombëtarët, pranon çdo çmim.
Duke faktorizuar problemin kombëtar deduktohet që kemi humbur më shumë seç mendojmë, shto këtu edhe faktorët e gjeopolitikës, atëherë jemi në një situatë të tillë: Etnicitet është i reduktuar në 75%, territori është i grimcuar dhe në reduktim, reduktimi në dy shtete (entitete) politike dhe jo mbarëkombëtare, rritja e pakicave dhe minoritetve, qeverisja nga elita me etni të debatueshme – jo shqiptare-, konformimi me ndërkombëtarët për lejimin e përfaqsuesve të këtyre pakicave në parlament me te drejtë vote dhe influenca e këtyre përfaqsuesve në faktorin gjeopolitik, pasi këta nuk mbrojnë të drejtat e shqiptarëve por të drejtat e pakicave që përfaqsojnë, dhe bëjnë politikën e shteteve fqinje. Pra kjo është problematike sepse mund të kalohet në konlifkt të interesave kombëtare me synimet e vendeve fqinje për pretendime territoriale.
Në faktorizim e problemit nuk mund të lësh jashtë armiqësinë, përbuzjen e shqiptarit për njëri tjetrit si rezultat i ndasisë ideologjike, fetare, klanore, kulte, sekte. Pra kjo është një panoramë problematike e kombit tonë dhe rrugëtimin e tij në dy drejtime: Zhdukjen si komb, ose zgjimin si komb. Por kjo varet tërësisht nga ne. Kjo është më e thjeshtë seç duket dhe kërkon pastrim të brëndëshëm nga ideologjitë ndarëse, dhe përqafimin e paqes, dashurinë për njëri tjetrin. Megjithse kjo tingëllon si sentimentale, nuk është përdorur aspak në mënyrë simbolike, por në kuptimin e mirëfillt të saj. Ashtu siç është programuar të urrej gjakun e tij, shqiptari mund të riprogramohet ta doj atë, mund të riprogramohet që shqiptari për shqiptarin të jetë vëlla dhe jo armik. Përçarja njihet si metodë dominimi, dhe një lëvizje pajtimi kombëtar do të sillte problem për klasën politike sepse grupet dalin jashtë kontrollit dhe si të tillë janë të lirë të bëjnë zgjedhjen që duan. Atë të vllazërimit.