Nga Valbona Gjoni Karanxha
“Sofistët” e politikës shqiptare kanë dalë sërish për të shitur duke përdorur argumente të ndryshme për të mbijetuar në politikë. Këneta ku takohen me njëri tjetrin të vetquajtur majtist, “demokrat të djathtë”, kozmopolit globalist me tendenca bohemiane nuk është gjë tjetër veçse konventa e llumit të politikës ku bëhen pazaret e rradhës. Në këtë konventë pa asnjë llojë baze ideologjike në shërbim të kombit klanet absorbojnë në të njëjtën kohë me ujin e ndenjur retorikat e tyre të cilat provojnë frutdhënëse kur vjen momenti i rotacionit. Pra këto janë lëvizje pragmatiste jashtë kursit ideologjik. Por Partia Demokratike kësaj rradhe nuk pret dot deri sa të vijë momenti i rotacionit por kërkon përmbysje të qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme e shumë gjëra që nuk ndihmojnë as situatën politike, as ndreqin gjë, pasi Partia Demokratike është e pa-aftë në këto momente të kryej edhe minimumin në favor të popullit -dhe lere më kombit- edhe sikur të kishte dëshirën e mirë. Partia Demokratike aktualisht nuk ndihmon dot veten.
Partia Demokratike është tërësisht e shkatërruar dhe e konsumuar në të gjitha degët e strukturës së saj dhe vazhdon të jetë e shkëputur nga realiteti. Ajo që i mban keto degë (organizatën, legjistlatorët/përfaqsuesit, dhe bazën elektorale) në një trung solid është ideologjia. Por për njëzet e gjashtë vjet Partia Demokratike nuk ka qënë asgjë tjetër përveçse një forcë destruktive dhe regresive e proçeseve demokratike në Shqipëri. Ideologjia e saj ishte dhe është ideologji shkatërrimi dhe pasi shkatërroi çdo qelizë të shtetit shqiptar (bashkë me ekuivalenten socialiste), këkon tani të bashkoj kombin dhe të krijoj shtetin komb mbi rrënojat e katastrofës së Rilindjes. Po a mund të ndërtoj Partia Demokratike e cila shkatërroi shtetin një shtet-komb shqiptar.
Midis retorikës së humbur anti-komuniste dhe asaj të adoptuar (vjedhur) kombëtariste, Partia Demokratike nuk është asgjë tjetër përveçse një imituese amatoreske e një ideologjie që nuk do jetë kurrë e saj sepse shtet kombi si teori bazohet në disa pika kyçe të ideologjisë kombëtariste siç janë kombi vetë, territori i përbashkët, etnia, kultura dhe shteti si njësi politiko-ligjore, me sovranitet, dhe njohja e këtij sovraniteti nga komuniteti ndërkombëtar. Partia Demokratike ka provuar të kundërtën e këtyre parimeve për njëzet e gjashtë vjet.
E para, Partia Demokratike është një entitet i organizuar në bazë të klaneve. Ndryshe nga ato tradicionale ku strukturat janë në shërbim të shtetit, Partia Demokratike është një bandë klanore e cila nuk punon për interesa kombëtare por për interesat e veta të ngushta. Gjatë viteve të pushtetit, Partia Demokratike uzurpoi pasuritë shtetërore dhe kombëtare dhe nën politikat e saj “privatizoi atdheun”. Teorikisht, një klan nuk përfaqson kombin, aq me tepër interesat kombëtare.
Së dyti Partia Demokratike është forca më kaustike në shtetin shqiptar historikisht. Kaosi politik dhe katastrofat financiare që ka shkaktuar Partia Demokratike kanë qënë të mirëmenduara dhe prioritetet kanë qënë interesat e ngushta në vënd të atyre shtetërore-kombëtare duke sakrifikuar -pa asnje medyshje- jetën e qindra shqiptarëve të vrarë nga mungesa e shtetit dhe zbatimit të ligjit. Shkatërrimet e Partisë Demokratike ndaj shtetit shqiptar kanë qënë dhe janë të mirëplanifikuara dhe shumë herë tentativat për grusht shteti ashtu siç ka bërë edhe oponentja e saj kanë çuar në kaos me pasoja të rënda për ekonominë por më tepër për faktorin kombëtar, ku shqiptarët janë përzënë si popull nga mungesa e stabilitetit, për një jetë më të mirë. Por problemi qëndron se kur një forcë politike nuk gjen mjete të tjera përveç shkatërrimit dhe kaosit, kjo forcë politike është e pazonja të ndërtoj shtet, shtet-komb aq më tepër t’u siguroj qytetarëve siguri dhe lumturi.
Së treti, Partia Demokratike është forcë e pa-identifilkuar ideologjikisht pasi anti-komunizmi nuk është ideologji në vetvete. Përqafimi i ideologjisë kombëtariste është aq i pa-kuptimtë sa edhe misioni i Partisë Demokratike për të qënë forca e “lirisë”. Ideologjia kombëtare është ideologji përbashkuese, ndërsa Partia Demokratike ka qeverisur në kurriz të kombit duke e ndarë atë më tej në luftën e klasave dhe duke i mëshuar ideologjisë përçarëse. Po ashtu si lufta e klasave nga regjimi i mëparshëm ndau shqiptarin në komunist dhe tjetrin e stigmatizoi si reaksionar, Partia Demokratike e thelloi më shumë ndarjen komunist dhe antikomunist duke fshehur djallëzinë dhe duke e ditur që shumë punonjës në sistemin e mëparshëm, të ndershëm, të cilët njihnin shtetin dhe strukturat e tij u zbuan për të lenë dorë të lirë kësaj strukture klanore të shkatërronte shtetin.
Së katërti, Partia Demokratike, me këtë lidërship dhe me këta përfaqsues në pushtetin legjistlativ është një forcë anti-kombëtare e cila ka shitur – pa u menduar dy herë- territorin shqiptar. Një parti e cila mbështetet në ideologjinë kombëtariste e trajton territorin kombëtar si një nga aspektet kryesore të identifikimit dhe bazen e shtetit-komb, pasi një komb pa territor kthehet në minoritet për një komb tjetër dhe historia e ka treguar agresivitetin e fqinjëve. Pakti detar në favor te Greqisë dëshmon se Partia Demokratike është krejtësisht e pa-përgjeshme në ruajtjen e sovranitetit. Si e tillë ajo rrezikon të hap konflikte duke premtuar pakte në kurriz të territorit kombëtar.
Së fundi, ideologjia kombëtariste do përdoret, ripërdoret, referohet, preferohet nga shumë qarqe dhe struktura. Deri më sot jemi ndeshur me argumente sofiste të cilat duken sencasionale në mengjes, konfirmohen në drekë dhe në darkë hidhen në kosh të riciklimit. Por në se kombëtarizmi përdoret si material riciklimi sa herë ta dojë nevoja, i humbet vlera dhe me vlerën humbet identiteti. Kur humbet identiteti territori nuk të mban dot sepse ti i përket kujdo, dhe kur braktiset territori atëherë zor se e gjen më. Prandaj për të evituar imazhet distopike të së ardhmes së kombit, Partia Demokratike dhe shumë të tjerë të cilët dhunojnë çështjen e kombit, nuk duhen lejuar të avancojnë axhendën e tyre. Çështja e kombit duhet të ndihet dhe jo të hidhet në treg si mall për shkëmbim a blerje. Në kënetën e politikës shqiptare çdo gjë ka çmim, por kombi as nuk shitet as nuk blihet.