Nga Grid Rroji.
Gjendja në Shqipëri sa vjen e bëhet më e vështirë dhe paria duket e pafuqishme për të gjetur zgjidhjet e duhura. Momenti është kritik jo vetëm sepse ka ardhur thika në asht dhe parisë i ka dalë boja plotësisht, por edhe sepse situata gjeo strategjike ka ndryshuar. Shqipëria duhet t’a kishte pozicionuar veten për të marrë përfitimet më të mëdha të mundshme nga pozicioni i vet. Realiteti është se sot ne jemi në pozita shumë më të pafavorshme për shkak të paaftësisë dhe babëzisë së parisë.
Por për të arritur këto objektiva strategjike të popullit shqiptar nevojiten shtetarë, e ne shtetarë nuk kemi sot dhe nuk kemi patur prej kohësh. Kemi politikanë katundi, hajna e bandita, kriminela e mafjoza, jeniçera, bashibozukë e martalloza, por jo shtetarë. Këta që na drejtojnë, dinë të vjedhin, të mashtrojnë, dikush ka mësuar edhe të vishet e parfumoset, por nuk duan shtet. Jo se nuk e dinë por kanë një unti të pangijshme për para, seks dhe pushtet, ndonëse në thelb janë skllevër të shumëkujt. Ndaj edhe për kompensim ju nevojiten shqiptarët si dele të skllavëruara që të ndjehen bosa si ai manjati rus që zotëron skuadrën e Çellsit. Shtetari i vërtetë këta i frikëson sepse do t’I rikthente t’a shihnin veten ashtu siç janë, thjesht skllevër e bij skllevërish.
Njerëzit janë të dëshpëruar, ekonomia është përtokë, punë nuk ka, prodhimi i drogës është veprimtaria e vetme që kemi, politikanët janë pushta e bandita dhe gjithkush është i gatshëm të thotë “ky vend nuk bëhet”. Realiteti është vërtet i zi por megjithatë kurrë nuk duhet humbur shpresa.
Mirëpo shpresa vjen nga shtetarët, ata që me përkushtim dhe vetëmohim punojnë për shtetin e shqiptarëve, për shqiptarët e prej shqiptarëve. A mund t’a imagjinojmë dot se si duhet të ishim po të kishim një shtet normal me shtetarë të përkushtuar? Ja disa nga gjërat që do ishin ndryshe.
Po të kishim shtetarë, shteti do punonte për qytetarin dhe jo për oligarkun që ka mik pushtetarin, për ekonominë vendore si pjesë strategjike e jo për biznesin me para të vjedhura të familjarit të vet.
Po të kishim shtetarë, ekonomia vendase do të mbështetej nga shteti me një vizion strategjik për të ruajtur ekuilibrat e shtetit dhe për të garantuar interesat kombëtarë. Punësimi do të ishte objektiv i përhershëm strategjik i secilës qeverie dhe shumë nga masat që do duheshin për të siguruar mirëqenien e qytetarëve do të merreshin me dakordësi pothuaj të plotë. Nuk do të konsideroheshin “hapje vendesh pune” as fasonerinë e as legalizimin e disa bisneseve, por do të kishim një Institut Statistikash të përgjegjshëm që nuk do pyeste për asnjë trysni partiake.
Po të kishim shtetarë, ligji do funksiononte për të gjithë njëlloj dhe krimi do të luftohej pa asnjë kompromis edhe me kosto shumë të rënda personale e familjare për heronjtë e shtetit. Shteti do të ishte si bibla a kurani, ligji do të zbatohej me rigorozitetin më të plotë jo thjesht nga frika por nga respektit për veten si popull e si shtet. Heronjtë e shtetit do ishin të gjithë punonjësit e tij, sepse ata do t’a ruanin shtetin si pasuri kombëtare por dhe si qëllim në vetvete të shtresës së vet.
Po të kishim shtetarë, Shqipëria do të kishte ndërtuar një ekonomi turistike me shkallë të vogël, brenda mundësive dhe karakteristikave tona natyrore dhe njerëzore dhe nuk do e kishte ndohtur territorin me ndërtime betoni pa fund, shitur territore armiqve të kombit shqiptar a dhënë tre tapi për të njëjtën copë tokë.
Po të kishim shtetarë, do të kishim një politikë të jashtme koherente, mbështetëse të interesave kombëtare dhe me një logjikë të qartë. Nuk do kishim heshtje përballë ekspansionizmit rus, aktivizmit të pandalur serb, shovinizmit të egër grek, por do kishim profesionistë të përkushtuar ndaj shtetit e kombit. Nuk do kishim ndryshime në poste kyçe të administratës dhe trupën e ambasadorëve sepse ata do të përzgjidheshin jo me miqësira e tarafe por në bazë të aftësive profesionale dhe besnikërisë ndaj shtetit e kombit.
Po të kishim shtetarë, do të kishim një moral shoqëror të shëndoshë, që do dënonte nxjerrjen në rrugëë to motrave dhe nënave trotuareve të Evropës, do të nxiste sjelljen me nder e dinjitet dhe nuk do nderonte hajnat dhe pushtat, kriminelët dhe drogshitësit vetëm sepse ata “kanë lek”.
Po të kishim shtetarë do të kishim një ushtri të vogël por efektive, të gatshme dhe të përgatitur për t’ju përgjigjur sfidave të armiqve tanë në rajon e më gjerë por edhe për të qenë garantor i kufijve tanë territorial. Do të kishim edhe një etikë popullore që e nderon ushtarakun si shërbëtorin më të vyer të shtetit dhe kombit të vet.
Po të kishim shtetarë çdokush do të ndihej i nderuar nga shteti i vet, përfaqësuesit e tij dhe administratat që zbaton vendimet e qeverisë. Nuk do kishim nga një pashaportë për qeveri, nuk do kishim shëëndetësi kriminale ku ke frikë të shkosh në spital se të lënë të vdesësh si qen, nuk do kishim mjekë që Hipokratin e kanë zëvendësuar me Hipokritin dhe mbi të gjitha nuk do kishim qeveritarë që pasurohen me shëndetësinë brenda pak viteve.
Po të kishim shtet do të ishim më të fortë, më të bashkuar dhe më të qetë. Do kishim më pak njerëz që mezi presin të ikin, do ndiheshim më shumë shqiptarë e do preokupoheshim më shumë për fatet e atdheut por edhe do të luftonim çdo tendencë për të na thërrmuar, ndarë, e përçarë me anë të feve, krahinave e grupimeve të ndryshme.
Për ta thënë thjesht të dashur shqiptarë e shqiptare, po të kishim një shtet të shqiptarëve, për shqiptarët e prej shqiptarëve…do ishim shtetkomb normal e jo në buzë të greminës.
Ndaj dhe na duhet një shtetkomb shqiptar. Duhet të çlirohemi nga plehrat që na drejtojnë, në qeveri dhe opozitë, dhe nga plehrat e gjithë botës e të bëjmë një shtet që na jep të gjithëve dinjitet, nder e qytetari.