Nga Grid Rroji.
Në shkrimin e djeshëm tek Bleta Shqiptare (EDI RAMA, MOSKA DHE RUSOFILIA SHQIPTARE: TEMË PËR DEBAT) Mirdit Toska argumentonte me kujdes dhe fakte të qarta arsyet pse paria e Tiranës ruan lidhje të shumëfishta ekonomike, politike dhe shpirtërore me Rusinë. Debati që hap shkrimi i Toskës është shumë i rëndësishëm për shkak se ka të bëjë me natyrën e shtetit shqiptar, çfarë shteti duhet të kemi dhe kujt duhet t’i shërbejë shteti i shqiptarëve.
Shkoqitja e këtyre fenomeneve është e rëndësishme sepse evidenton mungesën e besnikërisë së parisë ndaj shtetit dhe kombit , dhe veçanërisht të një pjese kyçe të saj, e cila ka drejtuar dhe kontrolluar shtetin shqiptar gjatë këtyre viteve. Kjo analizë bëhet e domosdoshme edhe për shkak të situatës së rënduar strategjike dhe luftës së ftohtë që po zhvillohet midis fuqive të mëdha në Ballkan e më gjerë, ku Shqipëria ka pozicion shumë kyç.
Në vazhdim të debatit të hapur nga Toska, dëshiroj të theksoj dy aspekte të cilat nuk ishin trajtuar gjerësisht në shkrimin e tij, përkatësisht rolin shumë aktiv të shtetit Rus në Shqipëri dhe lidhjen shpirtërore dhe jetike që nga koha e Bashkimit Sovjetik të disa segmenteve kyçe të parisë, lidhje e përkthyer prej kohësh në marrëdhënie të ngushta familjare, kulturore dhe sentimentale me Rusinë.
Prania e Rusisë në Shqipëri është e dukshme dhe e rrënjosur thellë. Segmente të parisë së Tiranës, të lidhura fetarisht dhe kulturo-etnikisht me Rusinë kanë ndërruar sjellje e kostum, por jo dashurinë për pushtetin që buron nga afërsia me tutorët rusë.
Me një ambasadë ku punojnë rreth 200 vetë, shteti rus investon konsiderueshëm në mbajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve me segmente të caktuara të parisë së Tiranës. Me lidhjet e vjetra të cilat nuk kanë reshtur kurrë së ekzistuari, Rusia ka ruajtur një prani të konsiderueshme në shtresat drejtuese të shtetit shqiptar, deri edhe në nivelet më të larta të tij. Toska përmendte rreth 600o vetë me lidhje të drejtpërdrejta, por nuk duhen harruar edhe rrethe të tjera ku ndikimi rus ka mbërritur në mënyrë të tërthortë siç janë kontaktet e Greqisë, Serbisë apo vendeve të tjera. Të gjitha këto grupe të parisë kanë interesa thelbësore të lidhura ngushtësisht me interesat ruse. Ambasadori Karpushin është bërë i zakonshëm në dalje mediatike duke ofruar alternativën ruse ndaj rrugës pro amerikane që kanë përzgjedhur shqiptarët. Ai nuk do të kish mundur t’a bënte këtë efektivisht pa patur kontakte të thella e të qëndrueshme brenda parisë së Tiranës.
Një tjetër shembull i vazhdimësisë së marrëdhënieve Pari-Rusi është shoqata kulturore e miqësisë Rusi Shqipëri, e cila është tejet aktive në promovimin e kulturës ruse në Shqipëri. Me ndikimin që përfiton prej këtyre marrëdhënieve Rusia ka krijuar lidhje kulturore të qëndrueshme të cilat i përdor për të mbërritur objektivat e saj strategjike në rajon.
Më tej, shteti rus ka dhënë dhe jep mijëra bursa studimi nëpër universitetet ruse në degë të ndryshme, në mënyrë që të ruhet vazhdimësia e lidhjeve nga gjyshërit tek baballarët e tek bijtë. Lidhjet që krijohen nëpër këto shkëmbime janë të forta si për shkak të moshës së re të studentëve që shkojnë me studime, ashtu edhe për përzgjedhjen e kujdesshme të tyre. Nga ky grup kuadrosh dalin kontaktet e reja të Rusisë në administratën shqiptare, në nivele deri edhe shumë të larta.
Kohët e fundit, ambasada ruse në Tiranë ka qenë fort aktive jo vetëm në çështjet politike, por është përpjekur të drejtojë debatin edhe në çështje në dukje dytësore si historia. Rasti i replikës midis Ambasadorit Karpushin dhe ish ambasadorit tonë në Moskë, studiuesit Shaqir Vukaj është shumë domethënës.
Vukaj u fajësua nga Karpushin për evidentimin historik të regjimentit ortodoks shqiptar në shërbim të Carit të Rusisë, një e vërtetë historike e njohur nga shumë burime që nuk kishte arsye të dukshme për t’a fshehur. Por mesazhi i Karpushin për Vukajn ishte se Rusia kërkon të nxjerrë në pah faktin se një pjesë jo e pakonsiderueshme e asaj që i thotë vetes elita shqiptare është ngushtësisht e lidhur me Rusinë, me strukturat e saj dhe pahnxjerrja e detajeve që nuk i shërbejnë synimeve ruse ka konsekuenca.
Aspekti i dytë që dëshiroj të evidentoj këtu është lidhja shpirtërore dhe historike me Bashkimin Sovjetik dhe Rusinë nga një pjesë e madhe e elitës ish komuniste e cila megjithëse qëndroi në heshtje ende nuk e ka kapërdirë prishjen me BS-në e Hrushovit.
Megjithëse episodi i prishjes me Hrushovin ka mbetur i patrajtuar si duhet nga historianët, është fakt i njohur se një pjesë e madhe e elitës ish komuniste ishte katërcipërisht kundër dhe u përpoq t’a sabotojë veprimin e Enver Hoxhës.
Arsyet për këtë ishin të shumta por ndër to vlen të veçohen afrimiteti fetar i një pjese të parisë me Rusinë, raporti i drejtë midis ndikimit rus dhe pushtetit të kësaj pjese të parisë, si dhe historia e ortave jeniçere të parisë së Tiranës të cilat janë vënë në shërbim të gjithkujt kundër shqiptarëve në shkëmbim të plaçkës e parasë.
Pikësëpari, duke e njehsuar veten si pakicë e veçantë dhe jo pjesë përbërëse e një kombi të njësuar, pra duke vendosur identitetin fetar mbi atë kombëtar, segmente të parisë shohin tek Rusia mbrojtësin e madh nga armiku më i madh që ata perceptojnë, Islami shqiptar. Kjo nuk ka të bëjë detyrimisht me përdëllimin fetar-shumica e myslimanëve shqiptarë praktikojnë një version të moderuar të islamit-por me prejardhjen dhe historinë e tyre si shtresë. Historikisht, kjo pjesë e parisë është mësuar të ketë nën kontroll shtetin në hapësirën e vet.
Që nga fundi i luftës së dytë botërore, aleanca e tyre me grupimet jeniçere futi shtetin nën kontroll dhe u identifikua me këtë aleancë. Mirëpo për nga vetë natyra e saj, kjo aleancë kishte brenda edhe rivalitetin mes grupimeve. Ky rivalitet u shfaq herëpashere gjatë kohës së regjimit komunist të Hoxhës, por u bë shumë i dukshëm kur u prishën marrëdhëniet me BS-në e Hrushovit. Ndonëse ende të fortë, dhe me rrënjë të thella në shtetin komunist, pas prishjes me Hrushovin,kjo shtresë e gjeti veten të rivalizuar nga ortat jeniçere, të cilat luftonin për pushtet brenda shtetit komunist. Ndaj dhe historia e prishjes me Hrushovit vërtitet periodikisht nëpër shtypin e parisë, si një golgotë për këto segmente.
E lidhur me këtë aspekt, është pra frika e madhe që këta kanë se me bjerrjen e influencës ruse në Ballkan, pushtetit që këta kanë gëzuar do t’i vijë fundi. Siç e shpreha më sipër, perceptimi i tyre është se pushteti që ata gëzojnë është në përpjestim të drejtë me influencën e mburojës Ruse në Ballkan. Ndaj edhe punojnë pa u ndalur për të ruajtur aksin Tiranë-Athinë-Beograd-Moskë. Udha e shpëtimit është detyrimisht për ta rruga drejt Moskës.
E fundit por jo nga rëndësia është bashkëpunimi mes segmenteve sektare të parisë dhe ortave jeniçere të cilat kanë gjetur tek njëri tjetri partnerin ideal. Megjithëse rivalë, këta e kanë kuptuar se aleanca mes tyre nuk lejon askënd tjetër të ndërhyjë në sistem, dhe u garanton sundimin mbi shqiptarët. Duke qenë se kanë të përbashkët urrejtjen e thellë për çdo gjë shqiptare dhe frikën nga shqiptaria, ata ofrojnë alternativa kozmopolite, evropiane, shoqërie të hapur por edhe bashkëpunim me ariun e rizgjuar rus për të ruajtur ofiqet.
Si përfundim, debati i hapur nga Bleta Shqiptare mbi ndikimin e madh rus në Shqipëri është një debat sa i domosdoshëm aq edhe në kohën e duhur. Parisë së Tiranës i kanë shterrur zgjidhjet dhe po përpiqet të ruajë pozitat duke u kthyer aty ku kanë zemrën e kuletën.
Mirëpo kjo jo vetëm që bie ndesh me synimet dhe aspiratat e shumicës dërrmuese të shqiptarëve por edhe çon drejt shuarjes së kombit shqiptar. Ndaj dhe është e domosdoshme që e vërteta t’u thuhet shqiptarëve shqeto e pa doreza.
Këto segmente punojnë për vete, dhe nuk shqetësohen nëse shqiptarët shuhen si komb. Përkundrazi, çdo zgjidhje që u garanton këtyre kontrollin mbi shtetin është e pranueshme, dhe këta punojnë me armiqtë e kombit shqiptar për ta realizuar atë. Më të kundërt, çdo zgjidhje që ndërton shtetin e shqiptarëve, për shqiptarët e prej shqiptarëve është për ta anatemë e pamendueshme. Ndaj edhe duhet që shqiptarët të kuptojnë se zgjidhja e vetme për ne është shtetkombi shqiptar.