SHINASI A. RAMA.
Në thelb të marrëdhënies së shtetit me qytetarët e vet, (kjo vlen për të gjitha shtetet), qëndron një marrëveshje e pashkruar, rëndësia e së cilës bëhet e dukshme vetëm në momentet kur shteti gjendet në krizë të thellë. Kjo marrëveshje mbështetet në besimin reciprok, se shteti do t’iu ofrojë të gjithë qytetarëve të vet sigurinë e jetës, të mirëqënies ekonomike dhe rregullin e duhur shoqëror. Të tre këto forma të sigurisë janë të ndërlidhura dhe të pashkëputshme nga njëra-tjetra. Këto tre forma të sigurisë janë të ndërlidhura në konceptin bazë strategjik të shtetit. Ky është objektivi që mbetet në themel të politikave të shtetit.
Shtetet që ua ofrojnë këtë siguri qytetarëve të tyre janë shtete të qëndrueshme, me qytetarë besnikë, me mirëqënie relative me një rend shoqëror që pranohet nga të gjithë si legjitim. Këto shtete kanë koncepte strategjike, që janë të dallueshme nga njëri-tjetri, por që mendohet se janë në shërbim të interesave të popujve të tyre. Shtete të tilla janë Sllovenia, Franca, Gjermania, Izraeli apo Taivani.
Mirëpo, ka shumë raste kur shteti kapet e vihet në shërbim të një grupi të caktuar. Në këto raste, shteti instrumentalizohet e shfrytëzohet prej këtij grupi. Ky grup, që merr kontrollin e shtetit, zakonisht fillon si një grup me interesa shumë të ngushta, të dallueshme nga interesat e shtetit e të qytetarëve të tjerë. Duke përdorur mjetet e shtypit e propagandën, fuqinë ekonomike, lidhjet me politikën, me zyrtarët, ushtarakët, policinë, etj., ky grup ia arrin që të zaptojë shtetin.
Çka është edhe më problematike, ky grup ia arrin që t’iu imponojë shtetit e qytetarëve konceptin bazë strategjik se si do të arrihet siguria e shtetit dhe e qytetarëve vetë dhe, kështu, bëhet paria sunduese e tyre, në shumë raste edhe elita e vërtetë e një populli. Në parantezë, duhet thënë se ka një dallim të madh midis parisë sunduese dhe elitës. Të paktën në parim, elita (të zgjedhurit) e udhëheq popullin e shtetin, duke vepruar me mendësinë e shërbimit publik. Nga ana e saj, paria (ata që kanë fuqinë) e sundon popullin e shtetin duke vënë, mbi të gjitha, interesat e veta të ngushta.
Ky është thelbi i problemit tonë. Ky është edhe fillimi i ikjes nga realiteti dhe i ndërtimit të një realiteti absurd, që jetohet nga qytetarët. Realiteti që ndërtohet, në fakt, është jeta e tyre. Mirëpo, gjithçka është në shërbim të pastër të parisë. Kjo ndodh sepse, ndërsa duket se shteti po i mbron qytetarët e vet, në fakt shteti e qytetarët po i shërbejnë parisë. I vetmi grup që përfiton nga kjo gjendje absurdi është paria.
Duke mos pasqyruar interesat e vërteta, reale dhe jetike, të qytetarëve dhe të shtetit vetë, koncepti strategjik i shtetit, i sendërtuar nga paria sunduese, bëhet baza për aventura politike. Aventurat politike nuk janë thjesht aventura. Ato natyrisht i shërbejnë këtij grupi dhe përmbushjes së interesave të tij. Aventurat politike janë shkatërrimtare për shtetin e qytetarët, mirëpo nuk janë për parinë që lulëzon e përfiton. Realiteti që krijohet, e që është i mbështetur mbi këtë koncept fals sigurie është një realitet absurd. Është realitet sepse njerëzit e jetojnë përditë atë jetë. Por, është absurd, sepse është i ndërtuar mbi premisa që nuk janë reale e të vërteta. Premisat e realitetit, ku jetohet përditë, janë të imagjinuara, të rreme dhe në shërbim të këtij grupi.
E megjithatë, për njerëzit, kjo është jeta që jetojnë ata. Zgjidhjet që bëhen nga njerëzit edhe kur ky sistem shembet, janë të mbështetura ne këtë absurditet të jetës se tyre. Prandaj edhe zgjidhjet që bëhen nga njerëzit në realitete absurde të tilla janë të paparashikueshme, të paimagjinueshme dhe, në rastin me të mirë, anormale për njerëzit që nuk janë pjesë e asaj shoqërie. Për shqiptarët ka dy raste të shënuara historike, kur paria sunduese ia ka arritur të kapë shtetin plotësisht, të kontrollojë plotësisht mjetet e informimit dhe të propagandës, të vendosë kontrollin e vet mbi strukturat ekonomike, politike e të sigurisë dhe të imponojë konceptin strategjik bazë të shtetit shqiptar.
Është interesante dhe me vlerë që të gjykohet se prej nga ka ardhur paria sunduese, por këtë analizë e kam bërë në një shkrim tjetër. Por, ia vlen që shkurtimisht të përmenden e të vlerësohen dy konceptet bazë strategjike që kanë rezultuar shkatërrimtare për shqiptarët, por që, natyrisht, kanë qenë e janë krejtësisht në interes të parisë sunduese.
Në parantezë, duhet thënë se çdo shtet normal synon që para të gjithave të sigurojë mbijetesën e vet. Shpesh edhe përkundër interesave immediate të parisë, kjo mbijetese është në thelb të konceptit strategjik të shtetit. Mbijetesa sigurohet duke pasur bazën territoriale, ekonomike, ushtarake e demografike dhe mandej aleancat që të lejojnë që të ndjehesh i sigurtë nga rreziqet që mund të paraqiten në sistemin ndërkombëtar.
E në rastin shqiptar? Po të ishte një shtet e popull normal, interesi i shtetit shqiptar duhej të ishte fuqizimi i bashkëpunimit ndërshqiptar, përhapja e këtij koncepti strategjik të shtetit që e lidh kombin me shtetin dhe i bën qytetarët besnikë të shtetit. Mandej, në kontekstin e lojës politike ballkanike, shteti i shqiptarëve do të ishte në gjendje që të jepte e të merrte si i barabartë me shtetet fqinje. Në këtë mënyrë, të gjitha problemet e shumta më të cilat përballemi, do të mund të zgjidheshin pak a shumë drejt e disa edhe në interes të shqiptarëve.
Mirëpo, gjatë këtij gjysëm shekulli, dy konceptet bazë strategjike të adaptuara nga paria e Tiranës i kanë rënë ndesh katërcipërisht interesit strategjik të shtetit e të vetë qytetarëve. Duke menduar për ruajtjen e sundimit të vet, paria e Tiranës, si gjatë kohës së Enver Hoxhës, ashtu edhe tashti, synon vetëm e vetëm t’i ikë realitetit të politikës së vërtetë.
Ajo ka ndjekur e po ndjek interesat e veta, që janë të qarta, por që janë në kundërshtim të plotë me interesat e popullit të vet. Paria ka qenë e don që të mbesë në kontroll të shtetit shqiptar me çdo kusht. Ajo synon të kontrollojë ekonominë e shoqërinë dhe ta transformojë shtetin në një instrument të vetin, për pasurimin e fuqizimin e vet. Interesi strategjik i parisë është ky interes i ngushtë i saj. Ky interes ndahet nga të gjitha palët e parisë që, perveç rrahjeve e sherreve të ditës, gjithnjë e kanë gjetur e do ta gjejnë gjuhën me njeri-tjetrin.
Ia vlen që shkurtimisht të analizohen të dy konceptet strategjike të parisë së Tiranës, që e kanë formësuar politikën e shtetit shqiptar dhe që na kanë sjellë në këtë gjendje të mjerë ku jemi sot. Kjo duhet bërë, sepse një krahasim me të shkuarën do të tregojë se si më parë, ashtu edhe tani, realiteti që jetohet sot në Tiranë është një realitet absurd, pa lidhje me të vërtetën e me jetiken, me interesin e shtetit e të qytetarëve. Pasojat e këtij absurditeti janë të frikshme dhe gjurmat që do të lërë në mendësinë kolektive të shqiptarëve duhen peshuar mirë.
Në thelb të konceptit bazë strategjik të shtetit gjate kohës së Enver Hoxhës ishte ideja e rrethimit. Si fillim, duhet thënë se Enver Hoxha nuk e ka dashur kurrë kombin shqiptar. Kur i lexon veprat e tij, e sheh se atij i janë dashtë 10 vjet për të përmendur një herë Kosovën. Edhe kur e përmend, në takimin me malësorët e Tropojës, Hoxha flet për shfrytëzuesit feudalë. Prandaj, duke kërkuar t’i ikë kombit e idesë së shtetit-kombit, paria e Tiranës dhe vetë Enver Hoxha flisnin për rrethimin imperialisto-revizionist.
Koncepti bazë strategjik u bë “të jetojmë si në rrethim”. Argumenti ishte se do të na pushtonin SHBA dhe BRSS. Frika imagjinare nga një pushtim i tillë u intensifikua bash kur atij e parisë së Tiranës iu dhanë siguritë nga NATO se shteti shqiptar nuk do të prekej, thjesht sepse ishte në interesin e fuqive të mëdha për të mos krijuar probleme të këtij lloji në Ballkan. E megjithatë, paradoksalisht, shteti shqiptar u bë mishërimi i modelit makiavelian të sundimit nga princi dhe paria, si dhe të vënies në plan të parë të mbrojtjes së territorit të shtetit.
Mirëpo, paradoksi është se edhe pse nuk kishte kërcënim direkt, parisë i duhej me çdo kusht ideja e rrethimit. Po të thuhej se nuk do të na pushtonte njeri, si do ta mbanin ata pushtetin? Si do të mund t’i mbanin ata shqiptarët ne një shtet terrorist, që kontrollohej me dhunë policore? Mbi të gjitha, pse duhej të mbeteshin ata në pushtet? E kështu, duke ndjekur interesat e veta, paria e Tiranës e ndërtoi realitetin absurd ku shqiptarët jetuan për disa dhjetravjeçarë. Energjitë e burimet materiale, të pakta e shumë të çmueshme, u derdhën në ndërtimin e bunkerëve, në harxhimin e kohës së punës për zbore e stërvitje, për ndërtime e struktura, për tunele e armatime. Këto masa e shpenzime ishin krejtësisht joproduktive dhe në kundërshtim me interesin kombëtar të shqiptarëve në atë periudhë historike. Gazetarët e shkrimtarët, mësuesit e këngëtarët, inxhinjerët, mjekët e partiakët, që të gjithë pa përjashtim, u morën me rrethimin imperialist-revizionist.
Ana tragjikomike e kësaj loje që u luajt me shqiptarët është se paria e Tiranës nuk e besoi vetë rrenën e vet. Por, duke e luajtur lojën si duhet e deri në fund, ajo filloi t’i tregonte botës përmes propagandës së Radio Tiranës realitetin e imagjinuar shqiptar. Argumenti i saj ishte se realiteti absurd që përjetonte shteti shqiptar e qytetarët ishte realiteti që duhej të përjetonte edhe bota e huaj. Ky ishte realiteti i imagjinuar, paria e dinte këtë, të huajt e dinin këtë. Për ata që jetonin në shtetin shqiptar, ky ishte realiteti i vërtetë.
Por, ndërsa shqiptarët në shtetin shqiptar e jetonin këtë realitet dhe, në këtë realitet ishte mbyllur jeta e tyre e vetme, paria e Tiranës bënte çka ishte e mundur për të kontrolluar lëvizjet nacionaliste shqiptare jashtë vendit. Rrena ishte vetëm për popullin shqiptar e jo për parinë. Paria e Tiranës e dinte se kush ishte armiku i saj i vërtetë dhe lufta e saj ishte për të mbytur nacionalizmin shqiptar e për të mbajtur kontrollin e shtetit në duart e jeniçerëve e të aleatëve të tyre. Rrethimi imperialisto-revizionist ishte një koncept që i shërbente asaj për të kontrolluar popullin e vet, “për t’iu hedhur trutë e gomarit” shqiptarëve, për t’i shmangur nga interesi i tyre jetik. Interesi jetik i shqiptarëve duhej të ishte fuqizimi i shtetit të tyre kombëtar.
Mbas vitit 1990, koncepti strategjik i shtetit shqiptar është i ndërtuar mbi idenë e integrimit, euroatlantik apo europian. Paria e Tiranës e të gjitha llojeve dhe e të gjitha ngjyrave, ka qenë kundër vendosjes së idesë së shtetit-kombit në qendër të konceptit strategjik të shtetit shqiptar. Arsyeja është e thjeshtë. Krijimi i shtetit-komb do të çonte në minimin e kontrollit të saj mbi shtetin shqiptar, për shkak se strukturat që do të krijoheshin do të ishin të mbështetura në një ideologji e në një sistem tjetër vlerash prej atij të parisë sunduese. Dhe, duke ndjekur të njëjtat metoda, si në kohën e Enver Hoxhës, paria e Tiranës, që prapë ishte e njëjta në thelb e në mendësi, edhe pse e zgjeruar me një tufë të re arrivistësh, luftoi me të gjitha mjetet e mënyrat kundër kësaj ideje, duke synuar në të njëjtën kohë që ta përdorë atë për interesat e saja të ngushta.
Interesat e saj për të promovuar idenë e integrimit europian janë krejtësisht të qarta. Edhe pse duket se objektivi i integrimit po iu shërben qytetarëve që, në fakt, mezi presin të marrin një vizë e të shkojnë e të punojnë në të zezë, e thjesht duan të ikin nga sytë-këmbët nga vendi i tyre, paria po mendon për veten.
Objektivi i saj është që t’i mbajë njerëzit nën kontroll. Nuk ka gjasa që shqiptarët të hyjnë në Europë. Po ta dinë këtë gjë si të sigurtë, atëherë shqiptarët do të rebelohen, sepse në shtetin shqiptar nuk është gjendja aq e mirë sa duket në Bllokun e Tiranës. Por, si pushtimi gjatë rrethimit, që nuk ndodhi kurrë, edhe europianizimi gjatë integrimit nuk do të ndodhë kurrë, të paktën jo në atë formë që e duan dhe e presin shqiptarët, dhe që e propagandon paria.
Mirëpo për të mbajtur popullin nën kontroll, integrimi duhet paraqitur si një proces që kërkon energji e forca të mëdha e, mbi të gjitha, durim nga shqiptarët. Në fakt, paria e Tiranës ka një sëmundje interesante, të trashëguar nga koha kur dikur e diku, kanë qënë “dikushi” në katund, marrëzinë e madhështisë. Untia e tyre për status e për pushtet është përkthyer në objektivat e saj strategjike: pasurim i shpejtë dhe sa më i madh, ndërtimi i një jete luksi dhe moderne, kontroll pa kushte i shtetit, madje edhe kur ai shtet mund të perfundojë sa një tavolinë tek Sheratoni, ikje nga përgjegjësia historike e morale dhe minim i çdo vlere shoqërore. Pjestarët e parisë nuk ngopen po nuk e panë veten si nga më të fuqishmit në Europë.
Sa kohë që ka shpresë për anëtarësim, njerëzit do të përballojnë shumë vështirësi e probleme, që përndryshe nuk do t’i pranonin. Duke e paraqitur përpjekjen e saj politike si përpjekje për integrim, paria ka gjetur mbulesën më të mirë të mundshme. Prandaj, për të arritur objektivat e veta, paria lufton ta paraqesë integrimin si imminent e të pashmangshëm.
Kështu, Evropa është bërë miti qëndror, miti i El Dorados së politikës shqiptare. Mirëpo, të gjitha konceptet dhe botëkuptimi që rrjedhin prej këtij miti janë irreale. Për shembull, thuhet se kur të hyjmë në Evropë do t’i zgjidhim të gjitha gjërat, se në Europë do të hyjmë, në mos tjetër kontrabandë, se Europa nuk mund të na lërë ne jashtë saj, se gjithçka duhet ta bëjmë me objektivin e integrimit në mendje e me rradhë. Kështu kemi parti që i janë përkushtuar objektivit të integrimit, ministri e qeveri të integrimit, OJQ e OJF, tekste shkollore e klasa të veçanta, që i edukojnë shqiptarët për vlerat e integrimit. Kemi edhe shkrimtarë që i nxjerrin shqiptarët si themelues të Europës e si ruajtës të vlerave të qytetërimit europian, poetë që shkruajnë për Europën, këngëtarë që këndojnë më mirë për Europën se sa për katundin e tyre. Flamurët europianë gjenden në të gjitha zyrat. Edhe në mejhanet luksoze ta sjellin kafen në filxhana me flamurin europian.
Histeria integruese është e të njëjtit nivel e intensitet si histeria e dikurshme e rrethimit. Në vend të zborit, shqiptarët shkojnë në klub e pinë kafe, duke pritur hyrjen në Europë. Paria, megjithatë, e di se kjo është një rrenë e pastër. Evropa ua ka berë të qartë se shqiptarët nuk mund të hyjnë në Evropë edhe për disa dhjetravjeçarë. Mirëpo, rrena e integrimit duhet shitur dhe duhet që t’ua mbushim mendjen shqiptarëve se jemi në rrugë të mbarë. Kështu që bëjmë kërkesa për anëtarësim në BE, pa na ftuar kush, flasim për përmbushje kushtesh e detyrimesh, që nuk na i ka vënë kush dhe i themi vetes evropianë, kur të gjithë e dimë se në Evropë na shohin si diçka krejt tjetër. E ndërkohë, paria vazhdon me punue kundër interesit kombëtar të shqiptarëve. Zgjidhja që ka gjetur paria e Tiranës nuk është më me i kthyer lëvizjet nacionaliste në marksiste-leniniste, por me i kthyer udhëheqësit politikë të shqiptarëve në trojet e tjera në hajna e cuba e jeniçerë, si ata vetë.
Si përfundim, duhet thënë se, për shkak të këtyre koncepteve kriminale strategjike të parisë, shqiptarët i kanë humbur disa shanse historike, që nuk do t’iu kthehen kurrë më. Njerëzit, që e kanë harxhuar jetën duke luftuar rrethimin apo duke dëshëruar integrimin, janë të mbyllur në atë realitet absurd e imagjinar, që u ka krijuar paria e Tiranës. Gjykimet e tyre për botën e për veten janë infantile dhe të shtrembëruara, të dëmshme për ata vetë e për të gjithë të tjerët. Askush me mirë se Evropa nuk e di këtë gjë dhe ajo e ka bërë këtë shumë shumë të qartë.
Mirëpo, është në interesin jetik të parisë se Tiranës që të zgjasë këtë gjendje absurde, sa më shumë që të jetë e mundur. Vetëm kështu mundet që të fuqizohet e të mbesë në kontroll të shtetit e të qytetarëve, që i konsideron në shërbim të saj. Prandaj, si pushtimi që nuk ndodhi asnjëherë, gjasat janë se edhe integrimi nuk do të ndodhë asnjëherë. Ajo që mund të thuhet është se, në fund, kur të vijë momenti i zhgënjimit të frikshëm, që është i pashmangshëm, as paria e Tiranës nuk do t’i ketë arritur objektivat e saj, por as shqiptarët nuk t’i kenë arritur objektivat e tyre.
(Marre nga PERRALLAT E TRANZICIONIT SHQIPTAR, 2012: 300-307; botuar me se pari nw vitin 2009).
bletashqiptare.org