SHINASI RAMA.
Fundi, kur vjen, është i frikshëm dhe i shpejtë. Por kjo ndodh për kafshët e presë dhe në luftë. Fundi i të sëmurëve dhe dhe të moshuarve, që vërtetë iu ka ardhur koha, është një agoni e gjatë dhe e dhimbshme. Po ashtu edhe fundi i shteteve është ose me pushtimin nga i huaji ose me një vetëshkatërrim gradual por të pakthyeshëm, një process në të cilin shteti tjetërsohet dhe transformohet në të kundërtën e vet. Në të gjithë elementët e shtetit, ato që e bëjnë atë funksional ndodh një degjenerim i dukshëm që i con proceset në të kundërtën e tyre. Ndër këto elementë ia vlen të shihen edhe vetëm këto aspektet e mëposhtme.
Së pari sovraniteti dhe territori i shtetit. Nga një territor i mirëkontrolluar, ai privatizohet dhe kthehet në një fushe beteje për interesat private, kriminale dhe të huaja që duan ta shfrytëzojnë atë shtet. Këta bëjnë cfarë duan dhe pa asnjë ndalesë. Shteti prostituohet nga qeveritarët për interesat e tyre private dhe klanore në shërbim të zotëve të tyre.
Së dyti, bashkësia politike ligjore. Nga një bashkësi me të drejta e detyra, bashkësia ligjore degjeneron në një formë uzurpimi dhe kontrolli e një mase të shërbërë nga një pakicë e parëndësishme numerikisht që zëvendëson ligjin dhe rendin me urdhërin dhe terrorin. Bashkësia shpërbëhet në struktura të përcara dhe në përplasje me njëra tjetrën dhe të kontrolluara përmes taktikës ‘përcaj e sundo.’
Së treti, qeveria dhe institutionet. Qeveria dhe institucionet nga një strukturë funksionale e rregulluar me ligj transformohen në struktura që punojnë në bazë të vullnetit të dikujt, individ, klan apo organizatë, që i përdor si don vetë. Po ashtu, zyrtarët e cdo niveli veprojnë në bazë të të njëjtit parim që con në rrëshqitjen në një organizatë tërësisht të korruptuar dhe të kriminalizuar.
Së katërti, ekonomia. Ekonomia nga një sistem prodhimi dhe shkëmbimi që iu shërben të gjithëve, anipse jo në mënyrë të barabartë, përfundon në një mekanizëm shfrytëzimi të burimeve njerëzore, natyrore dhe të strukturave administrative nga një pakicë oligarkike.
Së pesti, kombi dhe identiteti. Kombi, një strukturë që i konsideron të gjithë ligjërisht si të barabartë para ligjit të një shteti që i përket kombit, zëvendësohet me identitete thelbësisht bashkësore, fetare, kulturore dhe rajonale, por që kur politizohen bëhen mekanizëm mobilizimi dhe cojnë në përplasje midis grupeve.
Së gjashti, partitë. Partitë politike, në vend të shprehjes së vullnetit politik të mbështetur në një interes të përbashkët dhe të dhënies së zgjidhjes së duhur politike në interes të shtetit dhe të qytetarëve, kthehen në banda që synojnë kapjen dhe përdorimin e shtetit dhe të shoqërisë për interesat e bandave të caktuara.
Së shtati, morali shoqëror. Në vend të një shoqërie që funksionon në bazë të një morali shoqëror që ofron siguri dhe drejtësi, mundësi për begatim e zgjidhje të moralshme, shoqëria kthehet në një luftë e të gjithëve kundër të gjithëve. Njeriu për njeriun bëhet ujk. Nuk ka moral e shtërngesa shoqërore dhe
Së teti, qytetari. Shtetasi konsiderohet jo si qytetar por si rob. Gjithkush është në mëshirën e më të fortit dhe pasiguria bëhet norma e jetesës. Gjithcka është e pranueshme dhe njeriu kthehet në kafshë materialiste dhe që mendon vetëm për atë që mendon kafsha, mbijetesë, dhe riprodhim.
Dhe kështu jeta bëhet, njëlloj si e kafshë. si ka thënë Hobbes, njerëzit përfundojnë duke u mbështetur vetëm tek vetvetja dhe tek ato lidhje shoqërore që kanë. Për ta cituar Hobbes si duhet, “ në kushte të tilla nuk ka vend për përpjekje krijuese prodhuese, sepse fruti i tyre është i pasigurtë.” Dhe në mbyllje të argumentit Hobbes thotë, nuk ka vazhdimësi të kohës, s’ka arte, s’ka letërsi, s’ka shoqëri dhe ajo që është më e e keqja e të gjithave, ka një frikë të panderprerë dhe rrezik nga vdekja e dhunshme dhe jeta e njeriut është e vetmuar, e varfër, e vështirë, e dhunshme dhe e shkurtër.”
Në këtë përpjekje gjigandeske dhe të pandalshme të parisë së Tiranës shkatërruar shtetin dhe për të mos lejuar rikrijimin e shtetit që duhet, ende nuk e kemi mbrritur fundin. Por së shpejti shqiptarët do të përballen me të vërtetën e dhimbshme. Pa një shtet-komb njeriu është kafshë. Dhe tani që kanë mbaruar burimet e saj paria, përmes të gjithë instrumenteve dhe strukturave në shërbim të saj do t’iu kthehet njerëzve që nuk e kanë mbrojtjen e shtetit dhe do ti kthejë në kafshë. Ata që kanë ikur me kohë janë skllevër në tokat e huaja por ata që kanë mbetur do të detyrohen të dorëzojnë gjithcka që i bën që ta tolerojnë këtë pari kriminale: shtëpitë, paratë, punën, luksin vanitoz, pronat e vjedhura e me radhë sepse në fund, edhe shtetit shqiptar do ti dalë i zoti dhe ai nuk jemi ne. njerëzit e lirë kanë komb e shtet, solidaritet dhe dinjitet. skllevërit jetojnë në shërbim të dikujt, në tokën e dikujt, të vetmuar dhe pronari i vërtetë ua merr nderin kur i shkelen interesat. Dhe skllevërit më të këqinj janë ata që besojnë se tullat e llaci i shtëpive në toka të zëna i bën njerëz të mirë dhe të lirë.
Ende nuk ka na ardhur fundi i tmerrshëm, por ai nuk është larg. Fundi i jonë po vjen me fundin e shtetit që tashmë është në procesin e transformimit përfundimtar në instrument të oligarkisë bizantino-jenicere të parisë së Tiranës. Së shpejti do të mësoni edhe të vërtetën. E keni shitur shpirtin për para, ata që e njohin paranë ju kanë blerë dhe tashti jeni skllevër në shtetin tuaj. Jo vetëm janë pronarët tuaj, por ju edhe i votoni dhe zgjidhni si duan ata. Jeni skllevër me ndërgjegje. Nuk ka skllav më të mjerë se ai që beson se skllavëria është zgjidhja që duhet. Ky është edhe fundi i tmerrshëm dhe i vërtetë, pa tërmet e zhurmë, të cilin duhet ta kemi të gjithë kaq shumë frikë sepse jeni të lumtur me gjendjen tuaj në një shtet të shembur, të kapur dhe që tashti punon hapur kundër shqiptarëve.
Marrë nga bletashqiptare.org