Gjeopolitika si koncept nuk ka një përkufizim universal, ndoshta si pasojë e mungesës së përkufizimit universal të vetë politikës. Aq më pak mund të përkufizohet si i gjithëpranueshëm ‘problemi gjeopolitik i Bashkimit’. Në të shumtën e rasteve problemi gjeopolitik reduktohet në problemin e konjukturës politike së kohës, i cili më tej reduktohet në vërejtjen e (pa)fuqisë ushtarake të shqiptarëve dhe përtej bukurshkrimit, problemi gjeopolitik në thelb mbaron me këtë vërejtje, natyrisht kur nuk vazhdon me logorroizmin historik disfatist.
Në njëfarë kuptimi, problemi gjeopolitik fillon pikërisht me mungesën e njohjes dhe trajtimit të gjeopolitikës. Nga njëra anë kjo është e kuptueshme, sepse si disiplinë shkencore u denigrua botërisht gjatë Luftës së Ftohtë, sidomos prej regjimeve komuniste, nga ana tjetër prirjet eurocentrike të këtyre 20 vjetëve nuk lejuan as hapësirat dhe as interesin e nevojshëm. Përndjekja ideologjike ndaj saj vazhdon në mënyrë të butë, madje edhe kur thirret nëpër analiza, i jepet një formë edhe më e mjegullt sesa ajo disiplinë mbart vetë, keshtu paraqitet si koncept bosh.
Megjthatë, tej përndjekjes majtiste e integrimse (majtiste a djathtiste qoftë), gjeopolitika has një problem më të rendësishëm brenda rrymave politike apo shoqërore që përpiqen për Bashkimin. Këto rryma janë të ndara në dy pjesë, ata që janë për një përdorim kaotik të forcës dhe ata që janë për zgjidhjen e çështjes kombëtare vetëm në bazë të së drejtës. Të parët përfaqësojnë arketipin e nacionalistit të pushkës (sot kallashit), që përdorimin e forcës e shohin si detyrë individuale e të shenjtë të nacionalistit, ndërsa të dytët janë legalistët, të cilët mohojnë përdorimin e forcës dhe pretendojnë se çështja kombëtare mund të zgjidhet vetëm brenda legalitetit ndërkombëtar.
Të parët janë për përdorim kaotik të forcës, pasi nuk i pranojnë shtetit monopolin e përdorimit të forcës. Prandaj, në thelb ai përdorim force nuk është politik, por bëhet i atillë vetëm nqs ka mbështetje politike nga ana e shtetit. Mbështetja e shtetit i heq karakterin kaotik dhe e kthen në perdorim politik të forcës, rrjedhimisht të dobishëm për çështjen, e cila është esencialisht politike. Fakti që Bashkimi është çështje esencialisht politike, nuk i jep të drejtë asnjë prej dy rrymave, as kaotikëve që e shohin zgjidhjen tek forca bruto (si shumësi forcash individuale të modelit heroik) dhe as legalistëve që e shohin tek legaliteti ndërkombëtar. Bashkimi nuk është as për së largu një çështje juridike, që zgjidhet me anë të avokatisë ndërkombëtare.
Ndokush mund të më vërejë, se qendrimi legalist është i imponuar nga mungesa kronike e fuqisë apo pamundësia e Bashkimit me mjete te tjera përpos së drejtës ndërkombëtare. Në radhë të parë, si më sipër, qëndrimi legalist nuk mund të jetë mjet për Bashkimin, sepse nuk kemi të bëjmë me një çështje juridike, maksimumi mund të jetë mjet për mbajtjen gjallë të çështjes apo për ndihmë diplomatike, por kurrsesi për zgjidhjen. Së dyti, nuk duket e arsyeshme të mbahet në parim një qendrim, i cili bazohet tek pamundësia e Bashkimit, përderisa aktiviteti politiko-shoqëror bazohet tek realizimi i Bashkimit. Pra, qëndrimi legalist 100 vjet pas copëtimit rezulton të jetë thjesht një humbje kohe, madje ka marrë edhe karakteristika groteske.
Në kushtet e sotme, të dy qëndrimet e sipërme janë bërë obsolete. Kemi tashmë dy shtete shqiptare që përfshijnë 85-90% të shqiptarëve, kështu që nacionalistët spontane të pushkës janë një relike e kohërave të vjetra, nuk ka më vend për sjellje jopolitike e përdorim kaotik force. Vendin e kaçakëve dhe trimave e kanë zënë ushtarët e rregullt, vendin e komandantëve e kanë zënë oficerët. Ndonëse ka ende mundësi për të ashtuquajturën lufte asimetrike në Maqedoni (si e vitit 2001), afërmendsh rolin kyç për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve në Maqedoni e kanë Shqipëria e Kosova si shtete.
Po ashtu, qëndrimi legalist është bërë obsolet, sepse ndryshe nga një brez më parë, kur legalizmi kryente të pakten një funksion në mbijetesën e propogandimin e çështjes kombëtare, tashmë që kemi dy shtete e jemi etni shtetformuese në Maqedoni, nuk kryen më asnjë funksion domethënës, biles nëse duam t’i gjejmë ndonjë funksion, është ai i shërbimit si strehë e atyre që nuk duan realisht bashkimin dhe me dinakëri gjejne tek pamundësia konkrete e Bashkimit me anë të së drejtës ndërkombëtare, një gjethe fiku për të mos dalë haptazi si antipatriotë.
Pra, jetojmë në kohë të reja, me kushte të favorshme, por vazhdojmë të mendojmë e veprojmë me kategori obsolete. Ishim të vonuar në shpalljen e Pavarësisë, po vonohemi sërish në çështjen e Bashkimit.
Sot ka ardhur koha të përqendrohen energjitë në konceptualizmin e zhvillimin e një doktrine kombëtare që bazohet tek gjeopolitika, tek identifikimi i gjendjes në trojet etnike si gjendje esencialisht gjeopolitike, ku politika e fuqisë të mos jetë një fobi, por një perspektivë, ku ndikimi i faktorëve gjeografikë të analizohet me objektivitet dhe të merren masa për të limituar dëmet që vijnë prej tyre, të dallohen dhe stimulohen prirjet detare e kontinentale të shqiptarëve të rajoneve të ndryshme, të identifikohet qendra ( pivot) etj.
Problemi më i mprehtë gjeopolitik që ka kushtëzuar historinë tonë është mungesa e një uniteti gjeografik. Në vija të trasha territori i Shqipërisë etnike është i ndarë në dy pjesë prej vargmaleve që fillojnë prej Novi Pazarit deri në Liqenin e Prespës(vazhdojnë më në jug me Pindin, i cili ndan Camerinë/Epirin nga territoret greke).
Pjesa perëndimore formon një vazhdimësi territori, ku gjithë lumenjtë e mëdhenj burojnë në vargmalet ndarëse dhe derdhen në det sipas një drejtimi, në vija të trasha, lindje-perendim (nga malet lindore në bregdet). Megjithatë përveç Shkumbinit dhe Vjosës, të cilët kanë lugina të përshtatshme për rrugë, gjithë të tjerët kalojnë nëpër male e gryka të thespisura kështu që janë pak të dobishëm përsa i perket komunikimit rrugor. Pikërisht Shkumbini nëpërmjet Egnantias dhe Vjosa, që lidh Ultesirën Perëndimore me Camërinë, kanë përfaqësuar edhe dy arteriet kryesore të komunikimit, invazioneve ,dyndjeve apo lëvizjeve.
Kështu, në lashtësi shtetet ilire që përfshinin bregdetin (enkelejtë, taulantët, ardianët), nëpërmjet Shkumbinit (dhe dytësisht përmes Tomorricës) dilnin në zonën e liqeneve dhe komunikonin me Maqedoninë, ndërsa nëpërmjet Vjosës komunikonin me Epirin. Ndërkaq komunikimi me Dardaninë ishte i kufizuar për shkak të mungesës së rrugës ( Drini i bashkuar, ka vlerë të paçmuar energjitike, por s’ka fare vlerë komunikimi).
Vazhdimisht përgjatë historisë, shqiptarët perëndimorë kishin më shumë lidhje (tregti,luftë, lëvizje popullatash) me lindjen e jugun, nëpërmjet Shkumbinit e Vjosës, sesa me shqiptarët e Dardanisë dhe Iliridës(përveç atyre të jugut nga liqenet deri në Dibër).
Pra, këto 3 akse (Shkumbin,Vjose, Adriatik) kanë përcaktuar edhe historinë e shqiptarëve perëndimorë, përfshirë edhe emigracionin shqiptar përgjate mesjetës (arvanitë e arbëreshë) apo të sotmin (Greqi e Itali kanë mbi 80% të emigrantëve nga RSH-ja), ndryshe nga Kosova e Ilirida që e kanë kryesisht në vendet gjermanike (Gjermani, Zvicër, Austri).
Pjesa lindore, Kosova e Ilirida, formon relativisht një njësi gjeopolitike më vete. Relativisht, sepse malet e Sharrit e ndajnë gjeografikisht në dy pjesë, por ne më të shumtën e historisë kanë qenë politikisht të bashkuara, nga entitete të ndryshme politike. Kështu prej Kërçovës e Shtipit në jug, deri në Rashkë e Nish në Veri, kanë qenë territore të shtetit dardan, më tej pas pushtimit romak, u ndodhën bashkarisht në Perandoritë Romake e Bizantine, në shtetin serb të mesjetës, Perandorinë Osmane e së fundmi nën Jugosllavi.
Lumenjtë e këtij territori dardan ( Iliridë qëndrore e veriore, Kosovë, Luginë- me tej novi pazar, toplicë e jablanicë, prej nga shqiptarët janë spastruar etnikisht), ndjekin kryesisht rrjedhën veri-jug, pra ndryshe nga ata të Shqipërisë Perëndimore (RSH, Camëri, zona malazeze e liqenit të Shkodrës), të cilët ndjekin kryesisht rrjedhën lindje-perendim (verilindje-jugperëndim apo juglindje-veriperëndim, në çdo rast derdhja është në perëndim dhe burimi në lindje).
Kjo ka sjellë që akset kryesore të komunikimit të jenë thuajse ekskluzivisht me Veriun dhe Jugun. Përgjate historisë, luftërat janë me Maqedoninë antike në Jug, prej nga erdhi edhe pushtimi romak, ai bizantin dhe ai turk, ndërkaq në veri, konflikti me ilirët autariatë dhe më vonë ata skordistë/skordiskë, përgjatë mesjetës dyndjet sllave, pushtimi bullgar dhe pushtimi serb. Në këto akse zhvillohej edhe tregtia në kohë paqeje, ashtu sikundër edhe sot.
Ndërsa RSH ka tregtinë kryesisht me Italinë e Greqinë, Kosova e ka me Serbinë e Maqedoninë, duke ndjekur kështu secili shtet, akset gjeografike e historike të komunikimit.
Pra, përgjatë historise kemi një komunikim të dobët mes shqiptarëve të lindjes e perëndimit, i kushtëzuar thellësisht nga mungesa e arterieve të rëndësishme rrugore. Aq më pak mund të krijohej ndonjë entitet i përbashkët politik, i cili si të vetmen hapësirë komukimi do të kishte malet e larta të Gegërisë ( nga Tropoja, Kukësi e Dibra në Dukagjin, Krujë e Mat). Asnjë entitet politik nuk ka arritur t’i bashkojë dot, pa arritur më parë kontrollin e Shkumbinit/Egnatias (rrjedhimisht Maqedonisë) apo të zonës së liqenit të Shkodrës. Këtu mund të përjashtojmë ndoshta mbretin Monun të Dardanisë, i cili ka prerë monedha në Durrës, por megjithatë nuk dimë nëse shteti i tij kishte kontrolluar më parë Egnatian/Shkumbinin apo zonën e liqenit të Shkodrës. Vetë Perandoritë (romake, bizantine, bullgare dhe e Stefan Dushanit) kanë arritur t’i bashkojnë në një shtet vetëm pasi kanë kontrolluar me parë Egnatian (e Maqedoninë).
Ky problem i mprehtë gjeopolitik, ka kushtëzuar negativisht në mënyrë domethënëse historinë e mendësinë shqiptare përgjate shekujve dhe paraqet një sfidë edhe në ditët e sotme kur teknologjia ka mundësuar forma të tjera komunikimi, madje edhe Rrugën e Kombit. Në fakt, Rruga e Kombit përbën atë arterie kyçe që na ka munguar përgjatë gjithë historisë. Tashmë njerëzit, mallrat, por edhe ushtritë, mund të lëvizin me shpejtësi nga Ultësira Perëndimore (ku banon 2/3 e popullatës së RSH-së) drejt Kosovës dhe anasjelltas. Për nga rëndësia që ka për kombin shqiptar kjo rrugë, mund të krahasohet me rëndësinë që pati për Rusinë ndërtimi i hekurudhës Moskë-Vladivostok, e cila jo vetëm favorizoi kolonizimin e zhvillimin e Siberisë, por e bëri Rusine faktor të rëndësishëm politik në Lindjen e Largme ( në 1945 Stalini lëvizi 1.6 milionë ushtarë nga Gjermania ku ndodheshin trupat sovjetike, në mënyre që të sulmonte Japoninë). Në të njëjtën mënyrë, jo vetëm do të nxitet zhvillimi i Shqipërisë e Kosovës, por do të faktorizohet më tej roli i shqiptarëve në Ballkanin Qendror nga një ane dhe Adriatik nga ana tjetër (Kosova del në det, Shqipëria hyn ne Ballkanin Qendror).
Gjithsesi, teknologjia e cila na dha një ndihmesë jetike në kapërcimin gjeografik të problemit gjeopolitik, nuk është e mjaftueshme për kapërcimin edhe politik të problemit. Në këtë aspekt ndikojnë shumë faktorë, duke nisur që nga problemi serb, ai i lokalizmit të parive, ndërgjegjja e dobësuar(apo e lindur e tillë) kombëtare, përqasja problematike ndaj shtetit, vullneti i fortë për mbijetesë, por vullnet i dobët për fuqi, etj. Identifikimi dhe analiza e të gjithë faktorëve që na pengojnë në zgjidhjen e problemit gjeopolitik të Bashkimit perben fillesën e një qasjeje bashkëkohore ndaj Bashkimit Kombëtar dhe të ardhmes së kombit shqiptar, sepse sikundër dihet, zgjidhja e çdo problemi kalon nga diagnoza e saktë e tij.