Nga Ledjan Prifti
Kur flitet për bashkëkohësi, modernizëm e progres, nënkuptohet një cikël madhor historik, brenda të cilit mund të shfaqen rryma të ndryshme, minicikle të ndryshme, teza e antiteza ekonomike, ide politike, sociale e fetare. Jo të gjithë e kuptojnë njësoj bashkëkohësinë, modernizmin e progresin, prandaj ka zhvillime politike nga më të ndryshmet, të cilat i japin zakonisht jetë cikleve të vogla historike. Por, pavarësisht shumësisë ka brenda një Cikli madhor një unitet, i cili i jep natyrën, esencën, thelbin.
Historia është në thelb ciklike, në çdo histori kombëtare vërehen cikle të ndryshme, ashtu sikundër në çdo rajon e më gjerë qytetërim. Ciklet e historisë shqiptare janë të lidhura me pushtime e kohë të pavarësisë, prandaj edhe ne e ndajmë historinë, në kohën e ilirëve, Romës, Bizantit, dyndjeve barbare, Principatave mesjetare, pushtimi turk e shteti i sotëm i pavarur.
Pas këtyre cikleve të mëdha, dallojmë zhvillimet e ndryshme ekonomike, skllavëri,feudalizëm, kapitalizëm, komunizëm, të cilat nuk janë më thjesht specifike të historisë shqiptare, por vijnë në mënyrë ekskluzive nga jashtë, dmth nuk ka një bashkëveprim real nga ana e shqiptarëve në formimin e cikleve ekonomike, ato krijohen jashtë e vijnë tek ne, kur falimentojnë jashtë në fund fare falimentojnë edhe tek ne.
Më tej kemi cikle të formës qeverisëse, mbretëri fisesh të federuara ilire, diktatura te ndryshme pushtuese, anarki barbarike, qeverisje feudale që pë përfundonte në qeverisje të përqendruar monarkike, absolutizëm monarkik, demokraci , monarki absolute me dukje kushtetuese, diktaturë komuniste e demokraci formale por jo substanciale. Këto cikle të formës qeverisëse herë kanë kontributin tonë e herë janë shprehje të pushtuesit.
Cikli madhor historik ku ne jetojmë aktualisht, është cikli i Pavarësisë , prej 1912, i cili qysh asokohe u konceptua si cikël i shtet-kombit, kapitalizmit dhe demokracisë, natyrisht në një perpjekje madhore të shkëputjes përfundimtare nga Lindja dhe përqafimit të Perëndimit, i cili po përjetonte ciklin e vet madhor të shtet-kombit, kapitalizmit dhe demokracisë, me vështirësite e veta kuptohet dhe mosuniformitetin e disa shteteve, të cilat gradualisht u uniformuan me shumicën.
Shqipëria u themelua mbi bazën e 3 shtyllave moderne të ciklit madhor Perëndimor, shtet-kombi, kapitalizmi, demokracia. Ekzistenca e shtetit supozohej se do të ishte nje paraqitje e kësaj esence, këtyre shtyllave. U bënë përpjekje në këtë drejtim, deri ne 1925 kur Zogu shkatërroi përpjekjet në drejtim të demokracisë, asgjësoi parlamentin e parë demokratik. Enveri shkatërroi edhe përpjekjet në drejtim të kapitalizmit, kështu që dy nga shtyllat Perëndimore, kapitalizmi e demokracia u hodhën në erë. Si Zogu, si Enveri, patën nje qasje minimaliste shtet-kombëtare, pasi nuk kishte alternativë ndaj shtet-kombit. Normalisht të dy zhvilluan ato qasje shtet-kombëtare që u leverdisnin pushteteve te tyre.
Pas 1990-s sistemi i ri, duhet të hynte në ciklin perëndimor në plotësinë e tij, ai që u braktis nga Zogu dhe Enveri, pra me 3 shtyllat moderne; shtet-komb, kapitalizëm, demokraci, vazhdimi i Historisë së Shqipërisë në rrugën e hapur nga Kongresi i Lushnjës e Parlamenti i parë shqiptar, sepse ky është cikli i historisë shqiptare dhe historisë Perëndimore, puqeshin interesat e shqiptarisë me interesat e Perëndimit.
Por ajo që ndodhi është pikërisht ajo çfarë nuk duhej të ndodhte, u përshkua rruga e humbjes së sovranitetit në favor të shtetit patrimonialist, privatizimi kapi vetë shtetin, administrata publike kaloi nga blerja e vendeve e tashmë jemi tek trashëgimi, njësoj si në Francën aristokratike para revolucionit të 1789. U dhuruan esencialisht pothuaj gjithë atributet shtet-kombëtare në politikën e jashtme, deri në shitjen e tentuar të detit, pa harruar moskompetencën e sotme të shtetit për të vendosur tarifa doganore, dmth shteti është tërësisht i paaftë për të vendosur se çdo të bëhet në kufijtë e vet. Gjithçka pa marrë si shpërblim asgjë, dhuruam nuk negociuam.
Shtylla e dytë, kapitalizmi, u konceptua si një vijim i natyrshëm i ekonomisë feudalo-kapitaliste të kohës së Zogut e Turqisë osmane, me koncesione, hapje e dyerve ndaj importit, braktisje në fatin e tyre të tregtarëve, zejtarëve e çirakëve, një bujqësi ende gjysëm feudale , ku prodhohet për konsum familjar e nqs jepet mundësia shitet teprica, ku kapitalizmi ka hyrë vetëm anës rrugëve nacionale apo autostradave, me industri që pengohet në çdo hap nga shteti me tatimorë të korruptuar, nga bankat që nuk kreditojnë, nga importi që s’lejon ngritjen e fabrikave. Me pak fjalë, gjithçka që shfaqte ekonomia feudalo-kapitaliste e Turqise osmane dhe e kohës së Zogut, po rishfaqet me forcë, mungojnë vetëm bejlerët që merrnin 1/3 deri në gjysmën e prodhimit nga çifçiu që punonte parcelën.
Shtylla e trete, demokracia u konceptua jo si e drejta e shumicës për të qeverisur, por e drejta e Parisë për të grabitur shumicën. Nje ndarje e falsifikuar në të majtë e të djathtë i dha legjitimitetin e votës për të grabitur, në parimin kujtdo që i jepet vota, Paria grabit e populli grabitet. Vota, e cila është mjeti sesi populli shpreh sovranitetin e vet nëpërmjet zgjedhjes së përfaqësuesve ( sipas Kushtetutës), realisht është e kapur paraprakisht ose është vjedhur, sepse nuk ekziston për Parinë realisht një sovranitet i popullit, ka vetëm nevoja për legalitet të Parisë. Demokracia është një farsë e rregulluar mirë, po aq mirë sa demokracia popullore e Enverit, ka evoluar mjeti i koerçicionit/shtrëngimit e mjeti i ndëshkimit, po thelbi antidemokratik është i njëjtë.
Kështu si i shohim ne, na sheh edhe Europa; farsat që ndërton Paria i pranon populli, por nuk i pranon as Europa e as Perëndimi në tërësi. Perëndimi sheh që në Shqipëri nuk ka në thelb as shtet-komb, as kapitalizëm, as demokraci dhe sheh që rruga e ndjekur në të tre shtyllat e ciklit madhor Perëndimor, nuk ka për të ndërtuar një shtet që do të mund të jetë i denjë për t’u quajtur Perëndimor e për të na lejuar të hyjmë në familjen e madhe të shtet-kombeve Perëndimore.
Nuk është çështja thjesht tek Europa si BE, aty me këtë rrugë nuk mbërrijmë kurrë, çështja është të pranohesh më së pari si pjesëtar i Qytetërimit Perëndimor, në këtë model që ai qytetërim shfaq sot. Nqs një shtet si Japonia, paraqitet si shtet-komb kapitalist e demokratik, pavarësisht mungesës së lidhjeve historike, ndaj atij shteti ka një qasje preferenciale sesa Kinës, e cila është kthyer ngadalë në shtet-komb kapitalist, por nuk është demokratike.
Cdo shtet Perëndimor është shtet-komb kapitalist e demokratik, çdo qasje preferenciale do e ketë ndaj gjithë shteteve që paraqesin në natyrën e tyre pikërisht këto karakteristika, aq më tepër në çdo projekt homogjenizimi si BE-ja, pikë së pari duhen këto karakteristika esenciale, mandej elemente të përbashkëta historike apo fetare. Shtetet e tjera të Lindjes janë futur pikërisht në momentin kur këto karakteristika esenciale janë parë si mjaftueshëm të forta, duke privilegjuar natyrshëm së pari vendet më elemente të përbashkëta historike apo fetare si Polonia, Cekia e Hungaria.
Shqipëria është një shtet me elemente të dobëta përbashkësie historike e fetare me Europën, prandaj duhet të ishim sforcuar më shumë se të tjerët drejt forcimit të shtet-kombit kapitalist e demokratik, për të demostruar pikë së pari se ne i jemi dedikuar rrugës së përbashkët të Ciklit Madhor Historik të Perëndimit, pra se ne duan të hyjmë tek i njëjti Cikël. Vërtet që Perandoria Osmane na çoi tek një cikël tjetër, pa lidhje me ciklin e madh 1500-1800 të Perëndimit, ku pati kolonizim të botës, triumf të kapitalizmit, demokracisë e shtet-kombit, por ne duhet të demostrojmë që shtet-kombi i krijuar në 1912, me pranimin e kësaj Pavarësie prej vetë Perëndimit, nuk i takon një cikli tjetër historik, por i takon Historisë së Perëndimit.
Detyra jonë si shqiptarë është pikërisht integrimi i ciklit tonë të Pavarësisë brenda ciklit madhor të Perëndimit, si garanci nga njëra anë e Pavarësisë, nga ana tjetër e zhvillimit tonë ekonomik e social, si dhe zgjidhja përfundimtare e çështjes kombëtare. Rruga jonë e integrimit të ciklit të Pavarësisë, kalon pikërisht nga zgjidhja përfundimtare e çështjes së krijimit të një shtet-kombi, kapitalist e demokratik. Vetëm në këtë mënyrë ne tregojmë se jemi shkëputur plotësisht nga rruga e Lindjes, nga bizantinizmi e jeniçerizmi dhe se i bashkohemi rrugës perëndimore të Lirisë, e cila shfaqet në këtë Cikël Perëndimor në formën e shtet-kombit kapitalist e demokratik.