Nga Bledar Dika
Bota ku jetojmë manifeston gjithnjë e më shumë një tendencë drejt “teknikës». Aspekte të ndryshme që influencojnë jetët tona i qasen gjithmonë e më shumë kërkimit shkencor dhe teknologji gjithmonë e më të sofistikuara do të përmirësojnë jetët tona dhe do të lehtësojnë njeriun nga lodhja fizike. Pra në terma të tjera, shkenca, pikërisht sepse paraqitet si trasformuese e shoqërisë, duket sikur po minimalizon rëndësinë e momentit ideologjik. Mendimi llogaritës apo kalkulues mundet që në një të ardhme shumë të afërt, për të mos thënë që e ka bërë tashmë, të mbikalojë përfundimisht mendimin ideologjik.
Ajo çfare vihet re aktualisht është fakti që Shteti bashkëkohor të cilit i përkasim, e ka rritur angazhimin dhe pjesëmarrjen e tij në sektorë të ndryshëm të jetës ekonomike dhe sociale. Rrjedhimisht është i paevitueshëm ekspansioni legjislativ, i cili kërkon të disiplinojë këto sektorë e këto fusha të reja. Në të njëjtën kohë kërkohet që autorët apo hartuesit e këtij legjislacioni të kenë një bagazh njohurish teknike gjithmonë e më specifike, në mënyrë që të kurohen në detajet më minimale aspektet e ndryshme të produktit normativ që i ofrohet kërkesës specifike. Kësisoj, vendimet që do të merreshin në këtë shoqëri nuk do të kishin më karakter ideologjik, por thjesht teknik dhe kështu do të kalonim përfundimisht të ashtuquajturin “përfaqësim politik” dhe në njejtën kohë tempulli i saj, Parlamenti, do të ishte tashme një vend takimi i opinioneve të “kompetentëve”, dhe së fundmi do të asistonim në trasformimin e tij në një organ ku elaborohen e formohen vendime teknike sipas kritereve të verifikueshme teknikisht dhe praktikisht.
Megjithëse kjo i rezervohet një të ardhme jo shumë të largët, mund të themi që kemi të bëjme me një proçes të pandalshëm, simptomat e të cilit mund di pikasim pikërisht në mosfunksionimin e instituteve të “përfaqësimit politik”. Jo vetëm në fushat teknologjike me karakter ekonomik, por edhe në ato politike vërehet zbritja dhe spikatja e një figure të re, e cila sa vjen e merr një rol mbizotërues, bëhet fjalë për atë të “teknikëve», të cilët sa vjen e më shumë po prevalojnë edhe në fushën politike duke sfiduar figurën ekskluzivisht politike. Kemi një zvogëlim të hapësirës diskrecionale të drejtuesve kudo ku ato operojnë nga korporatat e shoqërive të ndryshme ekonomike deri tek drejtuesit e degëve të ndryshme të administratës publike. Ky zvogëlim i diskrecionalitetit vendimarrës qëndron pikërisht në faktin që, duke parë evoluimin e shkencës, ekonomisë por dhe vetë shoqërisë, vendimet më efiçente konsiderohen ato të ndërmjetësuara, sygjeruara dhe të mbikqyrura me teknikët e fushave përkatëse.
Një sjellje e tille haset edhe me vendimet e marra nga parlamentarët – të cilët kanë qenë dhe konsiderohen si të aftë vetëm për të thurur ideologji – , vendime të cilat sa vjen e karakterizohen nga adoptimi i tyre me “konsensus të gjerë”. Princip ky i fundit që anashkalon kundërshtimet dhe opinionet alternative pikërisht sepse është produkt i një vullneti të përbashkët të ngjizur nga ndërmjetësimet me “teknikët”, të cilët e kanë sygjeruar si zgjidhjen më adeguate. Kështu kur kemi konsensus të përgjithshëm mund të themi që jemi përtej principit mazhoritar, i cili, nga ana e tij është i domosdoshëm për funksionimin dhe artikulimin e ideologjive në asambletë përfaqësuese.
Në këtë sens duke patur parasysh që përfaqësuesit duhet të marrin vendime duke ndjekur kritere racionale objektivisht të verifikueshme, me qëllim përndjekjen e interesit – hipotetikisht – të përgjithshëm, në të kundërt burokracia e teknikëve paraqitet si sfiduese ndaj politikanëve të zgjedhur. Kjo shpjegon krizën e partive politike dhe atyre principeve si ai mazhoritar. Krizë kjo, e cila vjen nga tjetërsimi i principit të një barazie abstrakte, e cila do të arrihej nga një lidhje sa më të mirë të përfaqësuesve me të përfaqësuarit, në sensin që duhet trasferuar në gjirin e organeve përfaqësuese ato kritere, sipas të cilave, qytetarët duhet të merrnin vendimet në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Gjthsesi ajo ç’ka parashtruam më lart, ku flitet për një evoluim të pjesëmarrjes të drejpërdrejtë të qytetarëve, do të ishte kontradiktore jo vetëm, me përfaqësimin politik, por edhe me idenë e zëvendësimit të ‘politikantëve’ me teknicienët. Le të shpjegohemi, teknologjitë moderne dhe veçanërisht ato informatike kanë ndryshuar tashmë jetët tona, duke zvogëluar lodhjen fizike të njeriut dhe kohën që ai i kushton punës, duke stimuluar kështu nevojën për të marrë pjesë gjithnjë e me shumë në jetën politike të komunitetit. Në këtë mënyrë duke krijuar nje lidhje mjaft të ngushtë midis qeveritarëve dhe të qeverisurve, kjo mundëson që të parët të interpelojnë në kohë reale të qeverisurit rreth problemeve të ndryshme duke ripropozuar si aktuale problematiken e demokracisë së drejpërdrejtë, që ardhja e shtetit modern nacional e kishte mënjanuar si një “mundësi të pamundur” për t’u realizuar në pratikë.
Këtu qëndron pikërisht edhe problemi, ose më mirë kontradikta. Fakti që qytetarët njohin realisht problemet e vendit nuk i kualifikon ata domosdoshmerisht si personat të duhur për të dhënë zgjidhje më të mirë, ose më saktë nuk janë ata të duhurit për të influencuar vendimet e qeverisë, pasi vendimet efiçente përpos njohjes së problemeve do të kërkonin njohuri dhe kualifikime më adeguate, gjë që i mungon mases.
Në këtë mënyrë këmi një ekzaltim të termave të demokracisë si ligj i barazisë, dhe rrjedhimisht të sasisë në sfavor të aristokracisë (si ligj i cilësisë dhe i kompetencave). Propozohet në këtë mënyrë alternativa midis demokracisë së drejtëpërdrejtë dhe demokracisë përfaqësuese, dhë në të njejtën kohë propozohet kalimi i përballjes midis qeveritarve dhe të qeverisurve. Kështu përfaqësimi politik si formë e veshjes me pushtet të të parëve nëpërmjet të dytëve humbet llogjikën e të qenurit.
Përhapja e dëshirës për një pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve në jetën politike dhe përhapja e përdorimit të instituteve të demokracisë së drejtpërdrejtë, kontribuojnë të dyja në krizën e vetë partive politike. Së pari dëshira e një pjesmarrje më të gjërë të qytetarëve në çështjen publike rrjedhimisht do të kërkonte një impenjim sa vjen e më të madhë të individëve në jetën politike, çka do të gërryente ligjin e hekurt të oligarkive të cilat drejtojnë partinë dhe ushqejnë formimin e rrymave të ndryshme ideologjike. Nga ana tjetër institutet e demokracisë së drejpërdrejtë vënë në krizë vetë ekzistencën e partive politike, sepse kërkesa që i drejtohet qytetarve lind drejtpërsëdrejti nga një proçes që frymëzon subjektivisht cilindo nga ata, duke u formuar në mënyrë të pavarur nga sygjerimet partiake, edhe sepse nga ana tjetër partitë kërkojnë të justifikojnë/influencojnë vullnetin e shtetit sipas vullnetit të popullit, nëpërmjet një qëndrimi të njëjtë ndaj instrumenteve të demokracisë së drejtpërdrejtë (kemi parasysh referendumin).
Pikërisht në saj të kësaj nevoje gjithnjë e më të lartë të popullit në tërësi, por të individit në veçanti për tu angazhuar drejpërsëdrejti në gjënë publike, në sajë edhe të rritjes së vazhdueshme të ndërgjegjësimit politik apo edhe të racionalizimit politik të masave dhe grupeve të ndryshme të shoqërisë, partitë politike, për të mbajtur në jetë vetë strukturën e tyre, e cila mund të mbijetojë falë ligjit të hekurt të oligarkive, ato shpesh hasin në kontrakdikta të theksuara. Për shembull, qasja ndaj referendumeve e reflekton pikërisht këtë kontradiktë, nga njëra anë partitë shohin një mundësi ose më mirë një garanci për të apeluar popullin përballë rrezikut së të qenurit minorancë në parlament, ndërsa nga ana tjetër shikojnë një institut që sjell rreziqe jo vetëm për rolin e partive politike si ndërmjetësuese të interesave të individëve por edhe të vetë sistemit parlamentar. Vërehet kështu një sjellje ku ndaj çështjeve dhe vendimeve të caktuara, të cilat shoqërohen nga një ndjeshmëri e lartë shoqërore, partitë mund të shprehen të gatshme për referendum, ndërsa nga ana tjetër ata e shmangin këtë të fundit sa i jepet mundësia e miratimit të ligjeve deroguese apo abroguese të çështjeve në fjalë. Në këtë sens partitë janë më të predispozuara për të mbajtur rregullin oligarkik që i drejton edhe pse ky i fundit pëson një mutacion dhe nuk është indiferent ndaj ndryshimeve shoqërore.
Le të shpjegohemi, pa dashur të ripropozojmë këtu debatin midis qëndrimeve në favor të demokracisë së drejpërdrejtë dhe atyre në favor të demokracisë përfaqësuese, duhet gjithsesi të nënvizojmë që në demokracinë e drejpërdrejtë ka disa difekte që nuk duhen nënvlerësuar. Në radhë të parë është fakti që çështje të ndryshme për të cilat populli duhet të vendosë diskutohen në mënyrë të pamjaftueshme, në radhë të dytë, pyetjet që i serviren popullit janë pak të artikuluara edhe pse trajtojnë çështje komplekse, dhe së fundmi fakti që qytetarët nuk janë dhe nuk kanë dijeni rreth aspekteve të ndryshme që kanë çështje shpeshherë të koklavitura. Rrjedh që ai, i cili i servir pyetjet trupit elektoral (praktikisht lideri partiak nëpërmjet makinerisë së komunikimit masiv) të ketë një pushtet real të pakontrolluar, me konseguencën e rrezikut të instalimit të një diktature të tipit çezarian, në të cilin konsensusi popullor është sa i menjëhershëm aq sa edhe fiktiv. Rreziku qëndron edhe në faktin që grupet e interesave ekonomike mund të influencojnë apo të manipulojnë të ashtuquajturin opinion publik, në mënyrë që të garantojnë në favor të tyre pushtetin politik. Në këtë sens kemi një rritje progresive të influencës dhe pjesëmarrjes në jetën e komunitetit “Shtet” të grupeve të ndryshme të organizuara.
Pra me rritjen e vetëdijes individuale dhe rritjen e pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë kemi dhe rritjen e influencës së grupeve të organizuara dhe të fuqishme ekonomike të cilat artikulojnë e i paraqesin pyetjet dhe çështjet politike individit nëpërmjet mjeteve të ndryshme të komunikimit.
Në terma të tjera kemi një tendencë gjithnje e më të theksuar të privatizimit korporativist të pushtetit dhe një tendencë progresive e degjenerimit të pluralizmit social në polikraci (Koncepti i polikracisë është përdorur nga Schmitt me një theks negativ, për të treguar problemet e parlamentarizmit modern. Tendencë kjo që thekson edhe rrezikun se si një qytetar i thjeshtë, të cilit i kërkohet të marrë vendime në mënyrë të drejpërdrejtë, kërkon më shumë një lumturi “private” se sa një lumturi publike.).
Siç shihet grupet e organizuara ndërhyjnë me gjithë pushtetin e tyre, ekonomik, social apo elektoral, gjatë të gjithave fazave të proçesit politik . Pra ndërhyjnë në ato fusha ku manifestohen nevojat sociale , në ato faza ku përcaktohet shkalla e prioriteteve, në fazën deçizive të vendimeve politike dhe në atë të implementimit administrativ apo juridiksional të vendimeve politike. Këto janë ndërhyrje që zhvillohen, nga njëra anë, në fazën hyrëse të pushtetit, pra në momentin e imput-it kur nevojat dhe interesat sektorial tentojnë të penetrojnë në aparatin shtetëror duke u trasformuar kështu në të ashtuquajturin interesin e përgjithshëm, ndërsa nga ana tjetër ndërhyjnë në fazën e daljes ose të output-it, duke zgjeruar spektrin e konsensusit social mbi vendimet e marra. Gjithsesi pjesëmarrja politike dhe problematikat konceptuale që kjo shfaq ndaj përfaqësimit politk, siç kemi shprehur edhe më lart, në një vizion optimist duke parë lirinë dhe jo kontrollin që ofrojnë hapësirat e reja komunikative si interneti, mundet që të zgjidhen më faktin që kjo “demokraci e drejtëpërdrejtë” të qaset paradoksalisht si instrument i rëndësishëm i vetë përfaqësimit politik, minimalisht duke e shkundur atë nga mpleksja dhe duke e rivitalizuar.